Trump: Mesazhi im, jo i ashpër sa duhet. Koreja duhet të jetë nervoze

Trump: Mesazhi im, jo i ashpër sa duhet. Koreja duhet të jetë nervoze

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Korenë e Veriut se duhet të jetë shumë nervoze, nëse bën diçka kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një koment për mediet, Trump tha se, mbase paralajmërimi i tij i mëparshëm për “zjarr dhe furi” nuk ishte i mjaftueshëm, kështu që vendosi t’i dërgojë një tjetër mesazh regjimit koreano-verior.

Ky i fundit, sipas Trump, do të ketë telashe si pak kombe në histori, nëse nuk mbledh veten.

Komentet e Trump u bënë pasi Koreja e Veriut lajmëroi se kishte planifikuar të lëshonte 4 raketa, që do të bien në det pranë territorit amerikan të Guamit.

Tensioni mes dy vendeve është përshkallëzuar ndjeshëm së fundmi, pasi Peniani testoi dy raketa balistike ndërkontinentale në korrik.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi unanimisht sanksione ndaj Koresë së Veriut, një tjetër faktor në acarimin e situatës. Në këtë kuadër, Trump, pavarësisht paralajmërimeve, i ofroi gjithashtu një degë ulliri regjimit koreano-verior, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë gjithnjë negociatat.

Trump kritikoi administratat e shkuara amerikane që nuk janë treguar të ashpra mjaftueshëm ndaj Koresë së Veriut, ndërsa shtoi se qëllimi i vendit diktatorial për t’u shndërruar në fuqi bërthamore është një tragjedi.