Trump kritikohet ashpër pas reagimit të vonuar për supermacistët

Trump kritikohet ashpër pas reagimit të vonuar për supermacistët

Presidenti amerikan Donald Trump dënoi supremacistët e bardhë pas tubimit vdekjeprurës të së shtunës në Sharlotsvill të Virxhinias, duke thënë se racizmi është një e keqe. Për herë të parë, presidenti Trump përmendi me emër neo-nazistët, Ku Kluks Klanin dhe supremacistët e bardhë si kriminelë dhe banditë që përbuzin vlerat amerikane. Komentet e presidentit pasuan kritika të forta nga i gjithë spektri politik për reagimin e tij fillestar ku nuk përmendi në mënyrë specifike fjalët ‘supremacistët e bardhë dhe neo-nazistët’ në dënimin e dhunës.

Reagimi i vonuar i presidentit Donald Trump për të dënuar supremacistët e bardhë pas sulmit vdekjeprurës me makinë në Sharlotsvill të Virxhinias, duket se nuk e ka zbutur zemërimin.

Autokolona e presidentit ndryshoi drejtim ndërsa ai po kthehej në Nju Jork të hënën në mbrëmje, për të shmangur thirrjet e protestuesve.

Turma e njerëzve dukej se nuk kishte ndryshuar qëndrim pas cilësimit me emra të grupeve të bardha supremaciste nga presidenti, vetëm disa orë para se ai të largohej nga Uashingtoni.

“Racizmi është një e keqe dhe ata që shkaktojnë dhunë në emër të tij janë kriminelë dhe banditë përfshi grupin KKK, neo-nazistët, supremacistët dhe grupet e tjera të urrejtjes që përbuzin çdo gjë që është e shtrenjtë për ne amerikanët.”

Komentet e zotit Trump pasuan kritikat nga të dyja partitë për reagimin fillestar të shtunën, në të cilin ai dënoi urrejtjen dhe fanatizmin pa specifikuar supremacistët e bardhë dhe grupet e tjera që organizuan tubimin.

Protesta çoi në përplasje të dhunshme mes organizatorëve dhe kundështarëve.

32 vjeçarja Heather Heyer ishte në mesin e një grupi që dënonin protestën. Ajo vdiq kur një makinë goditi turmën.

Shoferit, 20-vjeçari James Fields Jr, iu mohua të hënën lirimi me kusht. Ai përballet me akuzën për vrasje të shkallës së dytë dhe akuza të tjera.

Mbrojtësit e të drejtave civile thonë se përcaktimi i momentit kur liria e fjalës mund të nxisë dhunën, është një nga sfidat më të mëdha për forcat e rendit dhe sistemin ligjor në Shtetet e Bashkuara.

Laura Murphy është eksperte e fjalës së lirë që ka shërbyer me Shoqatën për Liritë Civile Amerikane për gati 20 vjet.

“Është shumë e rëndësishme të dallosh veprat nga fjalët. Dhe Gjykata e Lartë ka lejuar përdorimin e shumë fjalëve provokuese dhe të urrejtjes. Mendoj se kjo është diçka e mirë pasi nëse njerëzit nuk mund të flasin, atëherë nuk mund të bëjnë asgjë.”

Gabe Rottman është ekspert i sigurisë kombëtare dhe i kushtetutës amerikane.

“Amendamenti i Parë është i pakuptimtë nëse nuk je i lirë të flasësh. Dhe është detyrë e forcave të rendit të mos mohojnë të fjalën e lirë në se ka shans për dhunë, por të ndërhyjnë për të mbrojtur të dyja palët, për të siguruar se ka hapësirë mes tyre në mënyrë që grupet kundërshtare të mos qëllojnë njëri-tjetrin.”

Departamenti i Drejtësisë ka hapur një hetim ligjor lidhur me dhunën e së shtunës. /VOA