Trump “kërcënon” republikanët: Votoni këtë ligj, ose lini karriget në 2018-n

21.03.2017 23:02
Trump “kërcënon” republikanët: Votoni këtë ligj, ose lini karriget në 2018-n

Presidenti Donald Trump mbërriti në “Capitol Hill” mëngjesin e kësaj të marte, me një mesazh të qartë për republikanët, të cilët kanë qenë të lëkundur mbi zhbërjen e “Obamacare”, ligjit të administratës së kaluar për Mbrojtjen e Pacientit dhe Kujdesin e Përballueshëm Shëndetësor.

“Më jepni votat tuaja, ose ju mund të humbisni vendin tuaj në Kongres në vitin 2018”, është shprehur kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë takimit me dyer të mbyllura me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti dha mbështetjen e plotë ndaj projektligjit të Dhomës për përmbysjen e “Obamacare”, i cili do të hidhet në votim ditën e enjte. Ai paralajmëroi se, nëse republikanët nuk do ta miratonin këtë projektligj, “sinqerisht mendoj se mund t’i humbisni karriget tuaja në vitin 2018”.

Trump iu adresua edhe zërit më kritik të projektligjit në Dhomën e Përfaqësuesve, kreut të “Freedom Caucus”, Mark Meadows (republikan i Karolinës së Veriut), i cili ka udhëhequr kundërshtinë e konservatorëve ndaj planit republikan për kujdesin shëndetësor.

“Mark, do të merrem edhe me ty”, besohet të ketë thënë Trump sipas shumë burimeve nga konferenca, një paralajmërim nëse ai vijon me kundërshtinë e tij. Por burimet u treguan të kujdesshme të shtonin se Trump ndoshta ishte duke “bërë shaka”, teksa jepte këtë paralajmërim.

Ai i shkeli syrin dhe i buzëqeshi Meadowsit, duke pranuar se kongresmeni në fjalë ishte një mbështetës i fuqishëm i fushatës së tij. Por veçimi i Meadows përballë kolegëve të tij duket se dha një mesazh të qartë: Trump kërkon prej tij të vihet në rresht, madje shpejt.

“Këtë të enjte kemi mundësinë për të zhbërë dhe për të zëvendësuar ‘Obamacare’ dhe këtë herë ju e keni dikë që do ta nënshkruajë atë projektligj, – u ka thënë Trump atyre. – Po ju kërkoj votat tuaja në favor të planit”.

Kreu i Dhomës, Paul Ryan dhe udhëheqësia e republikanëve mirëpritën këshillën presidenciale ndër radhët e republikanëve për votën e së enjtes, që gjithsesi duket se do të jetë fundi i një drame që ka mbajtur pezull të gjithë ligjvënësit.

Krerët republikanë kanë besimin se ai projektligj do të kalojë dhe janë optimistë se apeli personal i Trumpit ndaj konferencës do t’i japë rëndësinë e duhur planit. Megjithatë, pjesëtarë të “Freedom Caucus” dolën nga mbledhja e mbrëmjes së të hënës me pretendimin se ata kanë votat e mjaftueshme për të bllokuar legjislacionin. /tch