Trump ka vendosur si të prezantohet takimi i Trump Jr., me avokaten ruse

01.08.2017 08:02
Trump ka vendosur si të prezantohet takimi i Trump Jr., me avokaten ruse

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka thënë djalit të tij, Donald Trump Jr., të deklarojë se takimi i vitit të kaluar me avokaten ruse, Natalya Veselnitskaya, ishte i fokusuar në adoptimet ruse dhe jo në fushtatën presidenciale, ka raportuar Washington Post.

Duke cituar burime anonime, gazeta, ka thënë se presidenti Trump, e ka urdhëruar një deklaratë të tillë për djalin e tij, e cila më pas u prezantua për media.

Mirëpo deklarata u dëshmua të ishte mashtruese, kur Trump Jr., publikoi më vonë emaile të cilat tregonin vullnetin e tij për t’u takuar me avokaten Natalya Veselnitskaya, dhe disa rusë të tjerë, sepse atij i ishte thënë se do t’i jepnin informacione që do ta dëmtonin fushatën e demokrates, Hillary Clinton.

Po ashtu prezent në atë takim ishte edhe dhëndrri i Trumpit, Jared Kushner dhe kryesuesi i fushtatës së tij, Paul Manafort.

Ky takim është vënë në qendër të hetimeve në Kongres dhe Departamentin e Drejtësisë, rreth ndërhyrjes së supozuar të Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Avokati i presidentit Trump, Jay Sekulow , përmes një deklarate i është përgjigjur raportimeve të Washington Post, duke thënë se informatat janë “të pasakta dhe pa vend”.