Trump ka paguar 38 milionë dollarë tatim në vitin 2005

15.03.2017 07:50
Trump ka paguar 38 milionë dollarë tatim në vitin 2005

Shtëpia e Bardhë ka publikuar disa nga taksat e paguara nga presidenti Donald Trump, ku thuhet se ai ka paguar 38 milionë dollarë tatim më 2005, pasi po atë vit ka fituar më shumë se 150 milionë dollarë.

Ky njoftim erdhi pak para se gazetarja e MSNBC, Rachel Maddow raportoi se ajo posedon dy faqe të pagesave të tatimit të presidentit Trump më 2005. Të dhënat janë marrë nga gazetari David Cay Johnston, i cili ka thënë se i ka pranuar këto dokumente përmes postës.

Trump gjatë fushatës zgjedhore ka refuzuar që të publikojë taksat, pasi pretendonte se ishte nën auditim nga Shërbimi i të Ardhurave dhe avokatat e tij e kishin këshilluar që të mos i publikonte ato.

Shtëpia e Bardhë tha se publikimi i taksave nga MSNBC është i paligjshëm.

Publikimi i paautorizuar i taksave federale në SHBA përbën vepër penale por Maddow ka argumentuar se MSNBC ka ushtruar të drejtën kushtetuese për të publikuar informacione që janë në interes të publikut.