Trump e amniston të dënuarën me burg të përjetshëm, pas lutjes së Kim Kardashian

Trump e amniston të dënuarën me burg të përjetshëm, pas lutjes së Kim Kardashian

Presidenti amerikan Donald Trump dje e ka amnistuar një të dënuar në burgim të përjetshëm Alice Marie Johnson, e cila më shumë se 20 vjet ka kaluar në burgun federal për shkak të tregtisë me drogë, e për të cilën, javën e kaluar personalisht ka intervenuar te presidenti Trump ylli i programit “reality” Kim Kardashian West.

Trump është i gatshëm që kompetencat e tij kushtetuese t’i zbatojë në dobi të dhjetëra të dënuarve, për të cilët beson se janë viktima të sistemit të drejtësisë penale, pretendon Reuters, duke u thirrur në burime nga Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka kumtuar se Alce Marie Johnson (63) nga Tenesi, “ishte e burgosur shembullore” në dy dekadat  e kaluara dhe “mentor për të burgosurat  tjera”, transmeton Insajderi.com.

“Edhe pse kjo administratë gjithmonë do të jetë shumë e ashpër kundër krimit, besohet se ata e kanë paguar borxhin e tyre ndaj shoqërisë dhe kanë punuar zellshëm që ta përmirësojnë veten, prandaj e meritojnë edhe një shans”, ka theksuar Sanders.

Kim Kardashian, duke reaguar në vendimin e Trumpit për amnistinë e Johnson, ka shkruar në Twitter: “Lajmi më i mirë deri tani”.

Përndryshe ajo javën e kaluar e ka vizituar Shtëpinë e Bardhë, kur personalisht kishte lobuar te Trumpi në dobi të Alice Marie Johnson./Insajderi.com.