Trump dhe Putin takohen për herë të parë në korrik

Trump dhe Putin takohen për herë të parë në korrik

Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet me homologun rus Vladimir Putin në korrik si pjesë e samitit të G20 në Hamburg, tha media shtetërore ruse të enjten.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, duket se e ka dhënë lajmin pas takimeve të tij me Trump në Uashington, të mërkurën, shkruan agjencia e lajmeve “Tass”.

Nëse do të konfirmohet ky do të jetë takimi i parë mes tyre që kur Trump është ulur në detyrë në 20 janar. Shtëpia e Bardhë, ende nuk e ka konfirmuar takimin.

Lajmi vjen në një kohë kur ekipi i fushatës i presidentit Trump është nën hetim nga autoritetet amerikane për lidhje të mundshme me Rusinë. Ndërkohë, mbrëmjen e të martës, Trump shkarkoi nga detyra drejtorin e FBI James Comey, në atë që disa media dhe politikanë e cilësuan një reagim direkt ndaj hetimit.

Putin dhe Trump e kanë diskutuar takimin e pritshëm të tyre në korrik edhe gjatë javës së kaluar në një telefonatë. Faqja e internetit e Kremlinit, shkruante se putin dhe Trump ishin në favor të një takimi personal gjatë samitit të G20-ës.

Marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit. Nën ish-presidentin amerikan Barack Obama, një zëdhënës i Kremlinit tha se thuajse të gjitha nivelet e dialogut ishin ngrirë.