Trump dhe liderët e BE-së me qëndrime “të ndryshme” për Rusinë

Trump dhe liderët e BE-së me qëndrime “të ndryshme” për Rusinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u takua sot në Bruksel me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Pas takimit, presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk tha se presidenti Trump dhe zyrtarët e lartë të BE-së, dështuan të gjejnë terren të përbashkët në disa çështje.

Tusk u tha gazetarëve në Bruksel se përderisa për disa çështje, siç është lufta kundër terrorizmit, kishte qëndrime të njëjta, ai shtoi se “disa çështje, siç është klima dhe tregtia, vazhdojnë të jenë të hapura”.

“Nuk jam 100 për qind i sigurt që sot ne mund të themi, dhe kur them ne, mendoj zoti president dhe unë, nuk kemi pozicione të njëjta, mendime të njëjta për Rusinë. Edhe pse kur bëhet fjalë për konfliktin në Ukrainë, duket se jemi në të njëjtën linjë”, tha Tusk.

Tusk tha se mesazhi kryesor i tij për presidentin Trump ishte se “ajo që i jep kuptim bashkëpunimit dhe miqësisë tonë, janë vlerat themelore perëndimore si liria, të drejtat e njeriut dhe respektimi i dinjtetit njerëzor”.

Trump, i cili është në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, që prej se është zgjedhur president, u takua në Bruksel edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogerini, si dhe me presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajan.

Presidenti amerikan,i cili në këtë vizitë po shoqërohet nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe këshilltari për siguri kombëtare, H.R. McMaster “kanë shprehur shqetësimin se mund të humben vende të punës në SHBA për shkak të Brexit”, ka thënë një burim nga BE-ja që ka njohuri për mbarvajtjen e këtij takimi.

Trump u takua po ashtu në një drekë pune me presidentin e ri të Francës, Emmanuel Macron dhe e uroi për fitoren në zgjedhjet presidenciale, ndërkaq Macron tha se është i lumtur që po takohet me presdientin amerikan.

Trump sot merr pjesë në një takim me aleatët e NATO-s, ku temë qendrore pritet të jetë lufta kundër terrorizmit.

Presidenti amerikan ka qenë kritikë edhe ndaj NATO-s si dhe BE-së. Trump më herët e kishte cilësuar NATO-n si “organizatë të vjetruar”, duke thënë se aleanca nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar terrorizmin, njofotn rel.

Ai po ashtu ka kritikuar shumicën e aleatëve për mosrespektimin e udhëzimeve të NATO-s mbi shpenzimet.