Trump i bërtiti gabimisht në Twitter, anglezja do kërkimfalje nga i pari i Amerikës

Trump i bërtiti gabimisht në Twitter, anglezja do kërkimfalje nga i pari i Amerikës

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, e përmendi @theresamay në një ‘cicërimë’ në Twitter, ai mendoi se ia kishte drejtuar atë kryeministres së një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

“Mos u merr me mua, merru me terrorizmin shkatërrues radikal islamik që po ndodh brenda Mbretërisë së Bashkuar. Ne i kemi punët mirë!”, shkroi i pari i Amerikës në rrjetin social.

Por, shkrimi i tij iu drejtua Theresa May të gabuar – jo udhëheqëses britanike.

Trump më pas fshiu atë ‘cicërimë’, dhe e publikoi përsëri 20 minuta më vonë, këtë herë duke ia drejtuar përdorueses së duhur, @theresa_may.

Përdoruesja e llogarisë @theresamay është Theresa May Scrivener, një grua 41-vjeçare, e cila jeton në Bognor, dhe ka vetëm gjashtë ndjekës në Twitter.

Ajo ka thënë se jeta i është bërë interesante, pasi presidenti amerikan ia drejtoi një ‘cicërimë’, raporton The Guardian.

“Gjithçka ka qenë surreale. Nuk kam mundur të dal nga shtëpia. Jam bombarduar dhe jam kontaktuar nga mediat nga e mbarë bota”, ka treguar ajo.

Scrivener ka thënë se ka marrë mijëra mesazhe për shkrimin e Trumpit.

“Është interesante kur e mendon se njeriu më i fuqishëm i botës ka prekur butonin e gabuar. Tani po e pres një thirrje nga Shtëpia e Bardhë, për të më kërkuar falje”, ka thënë ajo.

Trump është bërë adresë e një vale kritikash në Britani, pasi ka shpërndarë disa video, që i kishte publikuar Jayda Fransen, zëvendëskryetare e grupit ekstemist djathist “Britain First”, dhe pasi ka kritikuar kryeministren britanike që e kishte qortuar për veprimin e tij.