Tri tentimet e Kosovës të bëhet me ushtri

Tri tentimet e Kosovës të bëhet me ushtri

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri është një nga sfidat më të vështira të shtetit që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008. Qysh atëherë kanë nisur tentimet për ta bërë shtetin me ushtri. Të varur nga NATO dhe fuqitë e mëdha botërore, vendi ka dështuar deri më tani dy herë ta bëjë këtë gjë. Tash është e treta herë, por ende nuk dihet nëse do të jetë e vërteta.

Bazuar në një raport të KIPRED, të vitit 2015, të titulluar “Observeri i Sektorit të Sigurisë së Kosovës”, përpjekjet për transformimin e FSK-së në FAK e vënë në dukje paaftësinë e partnerëve qeveritarë, PDK-së dhe LDK-së, për menaxhimin e këtij procesi, që është duke u refuzuar nga Lista Serbe.

Duke pasur parasysh kundërshtimin e Serbisë, dhe tash kundërshtimin e NATO-s, BE-së, dhe Ambasadës Amerikane si dhe varshmërinë e plotë të Listës Serbe nga qëndrimet e Beogradit, gjasat për krijimin e ushtrisë ende janë minimale.

Pos asaj që nuk arriti të përmbyllej gjatë mandatit të kaluar qeverisës (2010-2014), ky proces vazhdon të çalojë ende kryesisht për shkak të mospajtimit të Listës Serbe, meqë për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës nevojiten ndryshime kushtetuese që nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, së bashku me dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet e pakicave në Kuvend.

Tentimi i parë – Mars 2014

fsk

Megjithatë, implikimi i parë politik për transformimin e FSK-së në ushtri ishte me 11 mars, 2014, kur kryetari i Kuvendit të Kosovës ia dërgoi Gjykatës Kushtetuese amandamentet përkatëse të propozuara nga Qeveria e Kosovës, për ndryshimin e Kushtetutës, përfshirë këtu edhe ato lidhur me themelimin e FAK-ut.

Me vendimin e saj të datës 31 mars, 2014, Gjykata Kushtetuese vlerësoi pozitivisht ndryshimet e propozuara. Mirëpo, votimi i amandamenteve në Kuvendin e Kosovës u shndërrua në peng të kushtëzimit të komuniteteve pakicë që, në shkëmbim për themelimin e FAK-ut, vendet e rezervuara t’i kenë edhe për një mandat.

Për më tepër, madje edhe në këtë rast, votimi pro i deputetëve serb nuk ishte e garantuar, meqë ata edhe publikisht e bënë të qartë që nuk do ta përkrahin themelimin e FAK-ut.

Dhënia e vendeve të rezervuara komuniteteve pakicë edhe për një mandat, në shkëmbim për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës që asokohe e udhëhiqte qeverinë, mirëpo kjo u kundërshtua nga partitë opozitare. Edhe përkundrejt apeleve dërguar Kuvendit të Kosovës nga Qeveria e Kosovës, deputetët nuk pranuan që formimin e FAK-ut ta votojnë në të njëjtën pako me vendet e rezervuara për komunitetet pakicë.

Pas kësaj, më 7 maj 2014, Kuvendi i Kosovës u shpërbë dhe vendi shkoi në zgjedhje të përgjithshme, pa e përfunduar formalizimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Nga ana tjetër, NATO-ja në mënyrë të heshtur, dhe me përkrahje të hapur të SHBA-ve, e dha dritën e gjelbër për transformimit e FSK-së në FAK, mirëpo, duke e bërë të qartë që për këtë duhet edhe vota pro e minoriteteve.

Mirëpo, Serbia e kundërshtoi ashpër krijimin e FAK-ut, dhe këtë çështje presidenti Nikoliq e ngriti edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në mbledhjen e 27 majit 2014.

Me këtë akt të Serbisë u bë e qartë që formalizimi i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës përmes amandamentimeve të domosdoshme të Kushtetutës do të jetë pothuaj i pamundur në rrethanat e tashme, meqë për ta arritur këtë nevojiten edhe votat e 2/3 të komuniteteve pakicë, përfshirë këtu edhe deputetët e komunitetit serb, në Kuvendin e Kosovës.

Ky qëndrim kundërshtues i Beogradit ndaj krijimit të FAK-ut, u formalizua shumë shpejtë edhe në vendim-marrjen kosovare përmes partnerit të Koalicionit Qeveritar PDK-LDK, Listës Serbe, që e bëri të ditur se shndërrimi i FSK-së në FAK nuk është i pranueshëm dhe se ky qëndrim nuk do të ndryshojë në kurrfarë rrethanash.

Kësisoj tentimi i parë dështoi dhe vendi shkoj në zgjedhje.

Tentimi i dytë – Maj 2015

isa1

Pasi u krijua Qeveria e re, erdhi edhe tentimi i dytë. Gjatë votimit të kabinetit qeveritar për miratimin e draft-ligjit për shndërrimin e FSK-së në FAK, në mbledhjen e tij të 27 majit 2015, dy anëtarë të këtij kabineti nga Lista Serbe votuan kundër tij.

Njëri nga ta, mosvotimin e draft-ligjit e ndërlidhi me mungesën e ndonjë debati për atë si komuniteti serb do të përfaqësohet në FAK. Po ashtu, sipas tij, në mungesë të këtij debati, Lista Serbe do ta kishte të njëjtin qëndrim edhe sikur ligji të kalonte në Kuvend për miratim

Pas kësaj u paraqitën spekulime mediale lidhur me atë që Lista Serbe do të ngulmonte për formimin e një batalioni serb në kuadrin e FAK-ut, si kusht për votimin e tij. Një mundësi e tillë u kundërshtua nga Ministri i MFSK-së, Haki Demolli, që theksoi se atij askush nuk i kishte kërkuar diçka të tillë, dhe se ai nuk do të pajtohej me një kësi propozimi, pavarësisht nga ajo se kush do të ishte propozuesi

Po ashtu, edhe ish-komandanti i FSK-së, Gjeneral Kadri Kastrati, tërhoqi vërejtjen që krijimi i një ushtrie të veçantë për serbët e veriut do ta shënonte përfundimisht ndarjen e Kosovës. Kjo madje do të ishte një tregues i fillimit të një lufte të brendshme, mes FAK-ut dhe kësaj ushtrie paralele.

Çuditërisht, draft-ligji për transformimin e FSK-së në FAK iu dërgua Qeverisë nga Ministria e FSK-ja, pa kalimin e ndryshimeve përkatëse kushtetuese në Kuvendin e Kosovës që do ta mundësonin krijimin e FAK-ut. Propozim-amandamentet e Kushtetutës për krijimin e FAK-ut u trajtuan nga Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës më 10 korrik 2015.

Me shtatë vota për dhe dy kundër, anëtarët e komisionin i kaluan këto amandamente, dhe tash ka mbetur që Kryesia e Kuvendit të vendosë për procedimin e mëtutjeshëm në seancën plenare për votim.

Kalimi i Draft-ligjit për FAK-un në Qeverinë e Kosovës, pa u aprovuar ndryshimet e domosdoshme kushtetuese për themelimin e tij, vuri një pikëpyetje të madhe për ligjshmërinë e procedimit të këtij draft-ligji në Qeveri, pasi që për këtë nuk ka pasur bazë kushtetuese.

Nga ana tjetër, komunitetet pakicë, joshqiptare dhe joserbe, në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht Grupi parlamentar 6+, shprehën gatishmëri për ta ndihmuar procesin e transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura. Lidhur me këtë, dy përfaqësues të komunitetit turk nga ky grup parlamentar, në qershor e patën një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sidoqoftë, transformimi i FSK-së në FAK mbeti i ngujuar, meqë nuk kishte kurrfarë treguesi që deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës do ta votojnë një gjë të tillë, të paktën jo pa e shndërruar këtë çështje jetike për sigurinë e Kosovës në një pazarllëk politik me Beogradin.

Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për media, më 1 prill 2015, theksoi që NATO-ja nuk është kundër asaj që Kosova t’i themelojë Forcat e Armatosura, dhe konfirmoi që është një pajtueshmëri me Aleancën veriatlantike që në veri të vendit të mos shkohet pa marrëveshje me ta.

Kësisoj dështoi edhe tentimi i dytë.

Tentimi i tretë – Mars 2016

Thaci FSK

Kur “Epopeja e UÇK-së” nisi Hashim Thaci si president lajmëroi se ka krijuar një draft-ligj për transformimin e FSK-së në ushtri.  Por kur “Epopeja..” përfundoi me ndezjen e flakadanëve të lirisë në Prekaz dhe presidenti u shndërrua për tri ditë në një personalitet që po e bënë Kosovën me ushtri duke bërë edhe zyrtarisht dorëzimin e projekt-ligjit  tek kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ai mori goditjen e dytë nga ndërkombëtarët.

Kësaj here, niveli i reagimit ndërkombëtarë përfshiu edhe NATO-n.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të publikuar të mërkurën ka theksuar “shqetësimet për propozimin për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Stoltenberg, që ka zhvilluar gjatë ditës biseda telefonike me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, thotë se “NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje”.

Nuk vonoi as disa orë dhe Thaçi mori shuplakën e dytë nga një tjetër institucion i rëndësishëm ndërkombëtar në Kosovë, Ambasada Amerikane.

Ambasada bëri të ditur se është kundër nismës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, që transformimi i FSK-së të bëhet duke shmangur ndryshimet kushtetuese.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për nismën për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pa një amendament kushtetues”, thuhet në komunikatë.

Tash ka mbetur të shihet nëse kjo do të jetë e treta e vërteta. /Insajderi.com