Tri prioritetet për Rugovën nga kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës

Tri prioritetet për Rugovën nga kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës

Kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi, ka prezantuar tri prioritetet kryesore gjatë mandatit katër vjeçar – Parku nacional, Demarkacioni, dhe infrastruktura.

Për Parkun nacional ai ka thënë se “askush nuk mund të kujdeset më mirë për asnjë zonë në Kosovë se sa banorët e vet asaj zone”.

Ai ka thënë se deputetët e saj e kanë bërë të qartë kohë më parë edhe me votën kundërshtuese në Kuvendin e Kosovës.

Sa i përket Demarkacionit, kandidati Gashi ka thënë se kjo kauzë tashmë është e njohur nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Zgjedhja kryeministër e Haradinajt siguron qytetarët e republikës dhe banorët e brezit kufitar se çështja mbetet në duar të sigurta”, thuhet në njoftimin e AAK-së, dega në Pejë.

“Ajo çka kërkohet në këtë fazë prej komunitetit rugovas, është mbështetja me votën e 22 tetorit për kandidatin e AAK-së, z.Fatmir Gashi. Vota për Fatmir Gashin, në radhë të parë do të thotë votë për të hequr nga qeverisja e Pejës ata që e mbështetën në këto vite demarkacionin aktual”, thuhet më tej aty.

Sipas AAK-së, vota për Fatmir Gashin me 22 tetor është argument mbështetës për kryeministrin Haradinaj në qëndrimin për ta vendosur kufirin aty ku është, në Çakorr, Kullë dhe Maje të Larta.

Kurse për infrastrukturës, AAK-ja ka thënë se Rugova është specifike për Kosovën.

“Zgjerimi i rrugës Pejë –Kuqishtë – Çakorr. Lidhja e secilit fshat me asfalt. Për Rugovën ujësjellës dhe kanalizim. Kujdes të shtuar dhe zgjidhje e problemeve përmes KEDS-it në mungesën e energjisë elektrike. Këto janë pikat pa të cilat Rugova nuk ka zhvillim”, thuhet në fund të njoftimit të AAK-së./Insajderi.com