Tri parti flasin për “mungesën e 7 fletëvotimeve” në Mitrovicë

Tri parti flasin për “mungesën e 7 fletëvotimeve” në Mitrovicë

Shtatë fletëvotime dyshohet se janë vjedhur në Mitrovicë.

Kryetari i deritashëm i kësaj komune dhe njëherësh kandidat edhe për një mandat ka thënë se 7 fletëvotime janë vjedhur, por ka thënë se me asnjë çmim nuk do të lejojnë të keqpërdoret vullneti i qytetarëve.

Ai ka ftuar prokurorinë e shtetit të marrë masa të menjëhershme, përderisa siç ka thënë, nuk është bërë vonë.

“7 fletëvotime deri më tash janë vjedhur prej qendrave të votimit në Mitrovicë. Kjo tregon se ata që historikisht e kanë vjedhur votën, po duan që ta përsërisin situatën e vitit 2010. Ftoj prokurorinë e shtetit që të marrë masa të menjëhershme, përderisa nuk është bërë vonë. Me asnjë çmim nuk do të lejojmë që askush ta keqpërdorë vullnetin e lirë të qytetarëve”, ka shkruar Agim Bahtiri në Facebook.

Edhe nga kampi i Vetëvendosjes ka ardhur reagim për vjedhjen e fletëvotimeve. Sipas tyre, 2 fletëvotime janë vjedhur në Migjen, 2 në Avdulla Shaban, 2 në Shupkovc, 1 në Trepçë.

“Tashmë 7 fletëvotime mungojnë nëpër këto qendra të votimit: Sh.F.M.U ‘Avdullah Shabani’ , Sh.F.M.U ‘Trepça’, Sh.F.M.U ‘Shemsi Ahmeti’ dhe Sh.F.M.U ‘Migjeni’. VV në Mitrovicë shpreh shqetësimin për keqpërdorime të mundshme si zakonisht duke aktivizuar ‘Trenin Bullgar’. Kërkojmë nga organet e rendit që të mbrojnë rendin demokratik. Vota të mbetet e shenjtë, ky është vullneti i qytetarit dhe s’mund te ndalet nga askush”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes në Facebook.

“Komisionerët e vëzhguesit tanë janë në krye të detyrës dhe do ta mbrojnë vullnetin qytetar pa asnjë kompromis”, thuhet më tej në këtë reagim.

Vetëvendosje ka gjetur vërejtje edhe në Kaqandoll, ku ka thënë se procesi i votimit ka shkuar pa libër.

Nga ana tjetër, edhe Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë, ka bërë të ditur se vëzhgues të kësaj partie kanë vërejtur parregullsi të procesit zgjedhor në disa qendra të votimit. Ata kanë alarmuar për 5 fletëvotime që mungojnë.

“Është shqetësues fakti se në pesë vendvotime kanë munguar nga një fletëvotim, gjithsej pesë fletëvotime për kryetar komune. Në shkollën fillore ‘Abdullah Shabani’ është konfirmuar nga KKZ-ja se në dy vendvotime, 1102/13 dhe 1102/16R, numri i nënshkrimeve nuk përputhet me numrin e fletëvotimeve për kryetar komune. Më saktë në këto dy vendvotime mungon nga një fletëvotim për kryetar komune. Gjithashtu dyshohet se në shkollën fillore ‘Migjeni’, po ashtu mungojnë dy fletëvotime për kryetar komune. Vëzhguesit e PDK-së kanë raportuar edhe për mungesën e një fletëvotimi për kryetar komune në vendvotimin 1113b/1R, në shkollën fillore në ‘Trepçë’, thuhet në një komunikatë të Degës së PDK-së në Mitrovicë. /Insajderi.com