Tri akuzat më të rënda të Molliqajt ndaj Kurtit

Tri akuzat më të rënda të Molliqajt ndaj Kurtit

Ish sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti i Kuvendit të Kosovës Dardan Molliqaj në emisionin Zona e Debatit u tregua i ashpër ndaj ish-liderit Albin Kurtit.

Ai foli për pakënaqësitë e tij brenda partisë së tij dhe e akuzoi Kurtin që ka qenë i gatshëm të bashkëpunojë me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai mes tjerash tha se një flirt që VV ka bërë me PDK-në në Gjilan i ka kushtuar shtrenjtë kësaj partie.

“Zoti Kurti ka pas një ide të hapur se fitorja e VV-së mund të ketë ndryshime me PDK-në dhe LDK-në, e këto ndryshime mund të vijnë edhe në strukturë”, ka thënë Molliqaj.

Ai ndër të tjerash e akuzoi Kurtin se ka pajtuar të bëjë koalicion me partinë Fjala.

“Për mu gjithmonë do të jetë e papranueshme me ndërtu koalicion me dikë që i ka fy figurat kombëtare, e ajo është Partia Fjala, dhe kjo për mua ka qenë e pa pranueshme, ndërsa zoti Kurti ka pajtu me kriju koalicion me partinë Fjala”, ka thënë thënë ai.

Ndër të tjerash Molliqaj akuzoi Kurtin se ka nisur sulme ndaj tij në tetor të vitit të kaluar për shkak të mospajtimeve.

“Nuk më ka pëlqyer, që pas debateve dhe mospajtimeve, ka filluar sulm ndaj meje. Sulm të llojit që unë s’e bëj ndaj askujt, as ndaj kundërshtarëve”, ka thënë Molliqaj.

“Asnjëherë s’kam bërë trillime, shpifje ndaj dikujt”, ka thënë ai.

Molliqaj ka thënë se s’është pajtuar me “mosbesimin e Albinit që kemi organizatë që i fiton zgjedhjet, që s’mund të përballet me sfidat e ardhshme të Kosovës”.

“Unë kam besuar se mund t’i fitojmë zgjedhjet”, është shprehur ai. /Insajderi.com