Tre shqiptarët e arrestuar në Shqipëri për kokainë do ekstradohen në Itali

Tre shqiptarët e arrestuar në Shqipëri për kokainë do ekstradohen në Itali

Tre personat e arrestuar mëngjesin e së martës në qytetin e Vlorës, në kuadër të operacionit ndërkombëtar kundër trafikut ndërkombëtar të drogave të forta, do të ekstradohen drejt Italisë.

Autoritetet e shtetit fqinj përtej Adriatikut, të cilët ndoqën nga afër operacionin për arrestimet e 3 vlonjatëve, kanë nisur menjëherë procedurat për ekstradimin e tyre.

Burime pranë Prokurorisë shqiptare u shprehen për Top Channel se për momentin, kanë në duar vetëm urdhër arrestet italiane ndaj 3 shqiptarëve, pasi hetimet për aktivitetin e tyre kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogave të forta nga vendet e ulëta të Evropës drejt veriut të Italisë, janë zhvilluar nga autoritetet italiane.

Sipas tyre, një prej tre të arrestuarve mëngjesin e së martës në Vlorë dyshohet të jetë edhe organizatori i këtij rrjeti trafiku. Sa i takon hetimit pasuror të tre shqiptarëve të arrestuar në Vlorë, Prokuroria shqiptare do të presë ecurinë e hetimeve nga autoritete italiane, të cilat do të përcaktojnë se ku i kanë financuar apo tjetërsuar të ardhurat e mbledhura nga aktiviteti kriminal.

Grupi në fjalë, i cili përbëhej nga 11 persona, nëntë prej të cilëve shqiptarë ka trafikuar kokainë dhe kanabis sativa nga Luksemburgu, Belgjika dhe Holanda drejt veriut të Italisë.