Ekspertët kritikojnë ritualin e çuditshëm të Vardyt para ndeshjeve

Ekspertët kritikojnë ritualin e çuditshëm të Vardyt para ndeshjeve

Jamie Vardy tronditi të gjithë kur pranoi se kishte pirë gjysmë shishe të pijes energjike Lucozade – një pije që përmban glukozë – e përzier me verë të kuqe, para fillimit të të gjitha ndeshjeve të stinorit të kaluar në Premier Ligë.

Rituali i sulmuesit anglez para fillimit të takimeve përfshin edhe nga tre Red Bull dhe dy kafe espreso, raporton Daily Mail, transmeton Gazeta Online Insajderi.

Por këtë ritual të përhershëm të Vardyt para ndeshjeve, nuk e cilësojnë shembull për tu ndjekur ekspertët e futbollit në Angli, të cilët shpjegojnë efektin e këtyre pijeve në një ndeshje futbolli.

Ish-futbollisti i Anglisë, Chris Sutton, e ka quajtur të “pabesueshëm” ritualin e futbollistit të kombëtares angleze dhe Leicester Cityt.

“Është pothuajse e pabesueshme për një futbollist profesionist të pijë një gjysmë shishe Lucozade, të përzier me verë të kuqe portugeze, para ndeshjeve të futbollit, dhe i njëjti futbollist të bëhet lojtari i vitit. Pyetja ime e parë është: A mund të jetë e vërtetë ajo që thotë Vardy?”, shprehet Sutton për Daily Mail.

Ndërkohë një ekspert i kondicionit të trupit të njeriut, Asker Jeukendrup, shprehet i habitur me faktin se Vardy përdor alkool para ndeshjeve. Ai thotë se ajo mund t’i ndihmojë shumë pak atij.

“Në verë ka shumë pak gjëra që mund ta ndihmojnë paraqitjen e tij në lojë, vetëm përmbajtja e karbohidrateve që mund të ndihmojë pak në rendimentin e tij. Alkooli mund ta ndihmojë atë që të flejë më heret një ditë para ndeshjeve. Një sasi e vogël alkooli do ta bënte këtë, nëse është sasia më e madhe, vetëm se do ta lërë më shumë pa gjumë”, thotë Jeukendrup.

Vardy është një nga futbollistët më të famshëm në futbollin britanik e atë evropian. 29-vjeçari para katër vitesh luante në kategorinë e pestë të futbollit anglez, mirëpo ai arriti që vitin e kaluar të shpallej kampion i Premier Ligës angleze me skuadrën e Leicester Cityt.

Të gjitha pijet që Vardy përdor para ndeshjeve konsiderohen të rregullta nga Asosacioni i Futbollit anglez. /Insajderi.com