Ne dhe New Yorku...

31.08.2018 08:26

Tre në një, ‘nobelistët’ që po e fusin Ballkanin në luftë

Insajderi

Insajderi Çim Peka

31.08.2018 12:35
Tre në një, ‘nobelistët’ që po e fusin Ballkanin në luftë

Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë shumë të përbashkëta. Të tre janë sundimtarë të vendeve të tyre respektive; të tre kontrollojnë opozitën; të tre janë të lidhur me fije të dukshme dhe të padukshme me krimin e organizuar; të tre keqqeverisin; të tre vjedhin zgjedhje; të tre shantazhojnë institucionet dhe qytetarët e tyre.  Kontrollojnë mediat, shoqërinë civile. Këdo!

Akoma më tepër, që të tre synojnë dhe punojnë të qeverisin gjatë, mundësisht pafundësisht. Të tre kanë probleme me drejtësinë.  Probleme të pazgjidhshme…

Që të tre kanë, edhe të njëjtin pronar: George Soros. Te tre janë gjithashtu ushtarë të bindur të presidentit turk, Erdogan.

Të tre përpiqen sa herë u jepet rasti dhe podiumi, që të shantazhojnë, Bashkimin Europian. Kanë të njëjtin rreth lobistësh në SHBA. Hiqen si miq të Superfuqisë, por ecin me hile ballkanase. Të tre “vdesin” dhe duan të jenë miq personalë me Vladimir Putin, por ai nuk i ka në hesap.

Të tre mundohen të bëjnë biznes me Kinën, por…

Të gjitha këto vijnë, sepse të tre vuajnë nga e njëjta sëmundje: megalomania. U është mbushur mendja të bëjnë veprime dhe lëvizje politike, më të mëdha se vetë ata; më të mëdha se vete jeta ‘bigger than life’.

Mbi të gjitha, të tre duan të mbeten në histori. Të tre ëndërrojnë Çmimin ‘Nobel’ për Paqe! (Nuk është ironi, as shaka. Vërtet e mendojnë dhe ëndërrojnë).

Të tre i përbashkon, e njëjta origjinë politike dhe ideologjike.  Vuçiç vjen nga një parti politike etno-nacionaliste; ekspansioniste, gjenocidale.  Edi Rama është pjellë e ‘Bllokut’, sundimtare e Shqipërisë komuniste, e partisë së themeluar nga nacionalistë-komunistë serbë. Hashim Thaçi është pjellë e grupeve komuniste radikale kosovare, në diasporë; grupe të themeluara, financuara dhe drejtuara nga Sigurimi i Shtetit, i Partisë Komuniste shqiptare; themeluar në origjinë edhe vetë ky, nga ultra-nacionalistët serb.

Në këtë sfond, i janë futur aventurës së ndryshimit të kufijve.  Aleksandër Vuçiç mund të ëndërrojë dhe bëjë ç’të dojë; është puna e tij.  Se çfarë bëjnë Rama dhe Thaçi është puna e jonë, e gjithë shqiptarëve kudo janë!

Në fakt, fabula që ata kanë ndërtuar për opinionin e brendshëm dhe të jashtëm është e thjeshtë dhe e bukur. Por kanë bërë një gabim; është shumë e bukur për të qenë e vërtetë, ‘too good to be true’: liderë largpamës dhe paqësorë, shqiptarë e serbë janë bërë bashkë për të zgjidhur në mënyrë paqësore problemet ballkanike.

E  kush nuk e do këtë, në Ballkanin e disa luftërave?!

Në Ballkanin, origjinën e Luftës së Parë Botërore. Në Ballkanin mes Lindjes dhe Perëndimit; Veriut dhe Jugut. Në Ballkanin me popullsi të vogël, por me potencial të pakufi për të hapur konflikte. Në Ballkanin e varfër, të prapambetur dhe të zënë, në grackën e konflikteve të shkuara. Në Ballkanin Perëndimor që kontrollohet nga shqiptarë e serbë, të cilët kanë në dorë çelësin e luftës ose paqes.

Këta pra, shqiptarë e serbë, për herë të parë në histori janë bërë bashkë, me vullnetin e tyre të lirë për ti zgjidhur problemet midis tyre, pa ndihmën e askujt, pa bërryla midis fuqive të mëdha, pa kosto njerëzore, pa kosto financiare. Kush nuk do e donte një zgjidhje të tillë;  si në përralla?!

Dhe zgjidhja që ata ofrojnë është e thjeshtë: vizatojnë disa vija në hartë; dhe ja u zgjidh problemi!

Edhe Milosheviçi me Tuxhman dikur vizatuan disa vija në hartë, për Bosnjën.  Ajo që pasoi ishte konflikti më i përgjakshëm në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore. Vija në hartë; shkëmbime territoresh dhe njerëzish në këto përmasa kanë ndodhur vetëm një herë, që nga Lufta e Dyte Botërore; midis Indisë dhe Pakistanit; plot 10 milionë refugjatë; konflikt i ngrirë (dhe i nxehtë në Kashmir); të dy vende me arsenal nuklear, si pasojë e kësaj ndarjeje “miqësore”.

Nën modelin sovjetik të përzierjes së kombeve, Josip Broz Tito i mori disa fshatra serbe dhe i kaloi nën juridiksionin territorial të Krahinës së Kosovës.  Aty ku sot është ekstremi verior i territorit të Kosovës.  Nga ana tjetër mori disa fshatra të Anamoravës në Kosovën Lindore (serbët e quajnë Serbia Jugore) dhe i vendosi, nën juridiksionin e Republikës Serbe; Preshevë, Medvegje, Bujanovc.

Sot, vetëm Presheva banohet me shumicë shqiptare. Në Medvegje dhe Bujanovc, u ka humbur fare fara. Ose janë asimiluar ose kanë ikur, por nuk janë më aty. Ideja e ndryshimit të kufijve synon krijimin e shteteve etnike; e kundërta e asaj, çfarë sot përfaqëson Bashkimi Evropian.

Kosova e idesë së Thaçit dhe Ramës, pa Mitrovicën e Veriut (rreth 15% e territorit të sotëm të Kosovës); ndoshta me Preshevën dhe disa fusha bujqësore dhe pyeje përreth, nuk përfaqëson asgjë: Një shtet i varfër, bujqësor, pa industri, pa turizëm, pa dalje në det, pa lumenj të navigueshem (bazë e zhvillimit të tregtisë dhe industrisë), pa burime energjike e natyrore.

Të vetmet burime të sakta janë në veri të Kosovës, por ato do i marrë Serbia. Shtet i ri, pa institucione të konsoliduara, të zhytura në korrupsion dhe keqqeverisje. Model ideal i një shteti të dështuar, ‘failed state’.

Ky model i Thaçit dhe Ramës nuk na tregon, as se çfarë ndodh me idealin shekullor të shqiptarëve: Bashkimi kombëtar; bashkimin me Shqipërinë.  Nuk na tregon, as çfarë ndodh me shqiptaret në Maqedoni.

Nga ana tjetër, Vuçiç është më i qartë; pas marrjes së territoreve në Kosove, do ti sulet Bosnje Hercegovinës. Do ti marrë asaj pjesën që sot quhet Republika Serpska, duke krijuar Serbinë e ëndrrave të Millosheviçit.  Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër të Bosnjës, veçse është e kuptueshme se atë që nuk e mori Tuxhman me luftë, do e marrë Kroacia pa luftë.  Ajo qe ngelet nga Bosjë Hercegovina është, vetëm pjesa muslimane e saj.

Njësoj si Kosova, shtet pa territor. Shet i dështuar!

Përfundimi; një Serbi e Madhe dhe një Kosovë e vogël. Një Bosnjë hiç Bosnjë dhe një Maqedoni, pa të ardhme.  Ndryshim kufijsh; zhvendosje popullsie në të gjitha anët; emigracion; varfëri. Vatër e re konflikti. Ky është vizioni. Këta janë liderët!

Por ky skenar nuk ka për të ndodhur, sepse nuk mund të ndodhë.  Për qindra arsye, por edhe për arsyen e thjeshtë se as Thaçi e as Vuçiç nuk mund të fitojnë në referendum. Si rezultat, ideja e tre liderëve globalë përfundon një “vrimë në ujë”, në këtë cep të Globit.

Të jemi të sinqertë, deri në fund. Të tre liderët e dinë, që kjo nuk do të ndodhë.  Por do të thonë ama, që u munduam.  Popujt tanë, nuk na kuptuan.  Të tre të dashur për faktorin ndërkombëtar; të tre sundimtarë të përjetshëm.

Në rastin e Thaçit, krijimi i Gjykatës Speciale shtyhet në kalendat greke. Kushedi-mendojnë tre mendjet-nuk do të krijohet kurrë. Pa paragjykuar fajësinë e tyre, duhet të mbahet parasysh edhe diçka tjetër: janë disa krime që nuk parashkruhen asnjëherë, kurrë!

Në të gjithë këtë zallamahi, e fituara e madhe është Serbia. Dhe humbësja e madhe është Kosova. Dëmi ndaj Kosovës fatkeqësisht tashmë është bërë. Edhe sikur sot, të dalin të tre dhe të thonë; ishte vetëm një ide, mendim a sugjerim, për Kosovën tashmë dëmi është i pariparueshëm.

Është vënë në pikëpyetje vetë shtetësia e Kosovës, akoma pa u konsoliduar. Kush është ai shtet, që do të pranojë në vazhdim të njohë më Kosovën?!

Kush janë ato institucione ndërkombëtare, që do ta pranojnë më Kosovën si anëtare?!

Kosova po zhbëhet, çdo orë që kalon. Dhe kjo falë atij që duhej ta mbronte: Sundimtarit të saj dhe tjetrin në shtetin mëmë. Prandaj, sot vetëm një faktor mund ta ndalojë këtë rrokopujë për shqiptarinë: vetë qytetarët e Kosovës.

Në mos veprofshin tani, nesër do të jetë më vonë se `shumë vonë