Tre gjyqtarë dyshohen se u korruptuan me një udhëtim për derbin “El Classico”

Një treshe gjyqtarësh nga Durrësi janë nën hetim për korrupsion pasiv, pasi dyshohen se kanë përfituar një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid – Barcelona nga një biznesmen, palë në një gjykim civil.

Tre gjyqtarë dyshohen se u korruptuan me një udhëtim për derbin “El Classico”

Tre gjyqtarë të gjykatës së Apelit Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno janë nën hetim për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Gjyqtarët dyshohen se janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre.

Të dhënat e siguruara nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona.

Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës – dhe është paguar prej tij.

Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali.

Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke i dhënë të drejtë Sadikut.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, më 18 shkurt 2015, Ushina ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, ku akuzonte treshen e gjyqtarëve se kishin marrë vendim në favor të Sadikut, pasi kishin përfituar prej tij dy udhëtime jashtë vendit.

Zyra e shtypit  e Prokurorit të Përgjithshëm konfirmoi procedimin penal në adresë të gjyqtarëve, ndërsa pohoi se çështja është ende në hetim./ Hulumtimi i plotë në reporter.al