Tre deputetët që u dënuan për të njëjtën kauzë, sot i kanë ndarë rrugët politikisht

Teksa proceset gjyqësore për Haxhiun, Topallin e Kadaj-Bujupin që dikur ishin bashkë në Vetëvendosje kanë vazhduar deri më sot e potencialisht mund të vazhdojnë ende, ata i kanë ndarë rrugët me njëri-tjetrin në politikë. Shkak për këtë ndarje të tyre është bërë vet ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje në fillim të këtij viti.

Tre deputetët që u dënuan për të njëjtën kauzë, sot i kanë ndarë rrugët politikisht

Për shkak se para rreth dy vitesh po kundërshtonin me vendosmëri miratimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, tre deputetë kishin hedhur gaz lotësjellës për të ndërprerë seancat e Kuvendit. Ata e konsideronin të dëmshme marrëveshjen e nënshkruar nga ish-ministri i Jashtëm, tash presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan në janarin e vitit 2018 nga Gjykata e shkallës së parë për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvend.

Deputetja Albulena Haxhiu u dënua për përdorim të armës me 1 vit e 2 muaj burgim. “Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj”, thuhej në aktgjykim.

Po ashtu edhe Donika Kadaj-Bujupi u dënua për përdorim të armës  me 1 vit e 3 muaj dhe për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj. Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.

Ndërkaq, sot dënimin me kusht të Albulena Haxhiut, Faton Topallit dhe ish-deputetes së kësaj partie Donika Kadaj-Bujupit, e ka vërtetuar edhe gjykata e shkallës së dytë.

Apeli vërteton dënimin e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut e deputetëve tjerë

Teksa proceset gjyqësore për tre deputetët që dikur ishin bashkë në Vetëvendosje kanë vazhduar deri më sot e potencialisht mund të vazhdojnë ende, ata i kanë ndarë rrugët me njëri-tjetrin në politikë. Shkak për këtë ndarje të tyre është bërë vet ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje në fillim të këtij viti.

Nga përçarja në Vetëvendosje, prej tre deputetëve të lartpërmendur, vetëm Albulena Haxhiu ka mbetur në Lëvizjen Vetëvendosje. Faton Topalli u bashkua me grupin e të dorëhequrve nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët e formuan më vonë Partinë Socialdemokrate, pjesë e së cilës u bë edhe ai.

Ndërkaq, Donika Kadaj-Bujupi përveç se ndryshoi parti, ndryshoi edhe kauzë. Ajo, me t’u rikthyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, votoi pro demarkacionit me Malin e Zi – kauzë për të cilën është dënuar me burgim me kusht. /Insajderi.com