Traumat në rritje, shkak aksidentet në punë dhe në rrugë

11.11.2017 23:02
Traumat në rritje, shkak aksidentet në punë dhe në rrugë

Aksidentet automobilistike dhe rëniet nga lartësitë, kryesisht nga aksidentet në punë, kanë rritur numrin e rasteve urgjente që paraqiten në Shërbimin e Traumës në Tiranë.

“Tashmë është bërë zakon, 120 deri në 150 raste në ditë paraqiten në urgjencën tonë. Nga këto, mbi 50 për qind të rasteve janë nga Tirana”, deklaron profesor Agron Dogjani.

Mjekët theksojnë se rritja e rasteve të traumës lidhet me mosecjen paralel të zhvillimit të shoqërisë me edukimin e saj në rrugë.

“Me rritjen e numrit të mjeteve të lëvizshme kemi një rritje të numrit të përdoruesve të tyre. Ndërkohë, rreth 20-25 për qind të rasteve të traumës që paraqiten në urgjencë janë rënie nga lartësia. Pastaj është mënyra tjetër e goditjes me mjete të forta”, thotë Dogjani.

Mjekët theksojnë se ka një rënie të rasteve të plagosjeve me armë zjarri në të gjithë vendin. Sipas Dogjanit, falë një investimi të bërë në dy vitet e fundit në aparatura diagnostikuese tanimë përballohet më lehtë fluksi i traumave që shënohen në vend./TCh