Transmetuan spotin e Veselit, reagon kryeredaktori i RTK-së: Ishte gabim teknik

Transmetuan spotin e Veselit, reagon kryeredaktori i RTK-së: Ishte gabim teknik

“Gabim teknik” dhe të pa qëllimshëm e ka cilësuar kryeredaktori i RTK 3, Ridvan Berisha, transmetimin e një spoti televiziv të kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, në edicionin e Lajmeve Qëndrore të Radio Televizionit të Kodovës (RTK), të dielën.

Spoti televiziv i Veselit që përçonte mesazh për rastin e përvjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte publikuar gjatë paraditës së ditës së dielë edhe në faqen e Facebook-ut të kryetarit të PDK-së, raporton Insajderi.

E kur kjo video e kryeparlamentarit u transmetua në Lajmet Qëndrore të Transmetuesit Publik të Kosovës, vërshuan kritikat ndaj RTK-së.

Por, për të shfajësuar institucionin e RTK-së për këtë rast, reagoi kryeredaktori i RTK 3, Ridvan Berisha, i cili deklaroi se ky spot televiziv i Kadri Veselit u transmetua gabimisht nga RTK.

Sipas tij, spoti i kryeparlamentarit Veseli u ngatërrua me një kronikë të një lajmi të shkurtër që ishte paraparë të transmetohej në Lajmet Qëndrore të Transmetuesit Publik.

“Sonte në Lajmet Qëndrore 19:30 e kemi transmetuar një spot televiziv të kryeparlamentarit Veseli kushtuar Epopesë së UÇK. I lexova reagimet e para, shumica kritika me vend. Dhe më duhet të ju njoftoj se ky ka qenë një lëshim krejt teknik sepse në vend të lajmit të shkurtër është transmetuar gabimisht spoti”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Ai ka thënë se shfaqja e spoteve të sponzorizuara në edicionin e Lajmeve Qëndrore, nuk është praktikë e RTK-së.

“Nuk e kemi praktikuar asnjehere qe te transmetojme spote ne edicione te lajmeve. E shfrytezoj kete rast per te ju thene se ky ka qene gabim plotesisht teknik dhe asesi nuk e kemi vene ne pikepyetje gjykimin tone editorial ne raste te tilla te transmetimit te lajmit”, u shpreh Berisha.

Transmetuesi Publik dy ditët e fundit është kritikuar nga dy organizata ndërkombëtare të medieve. Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Organizata e Medieve të Evropës Juglindore (SEEMO) janë shprehur të shqetësuar për gjendjen e RTK. Kanë thënë se “brenda këtij institucioni ka trazira”. /Insajderi.com