Transferimet më të kushtueshme të viteve të fundit

Transferimet më të kushtueshme të viteve të fundit

Në vitet e fundit merkatoja e transferimeve të muajve të verës ka qenë tej mase e nxehtë dhe kjo për shkak të shifrave marramendëse që klube të ndryshme kanë ofruar për futbollistët më cilësorë që kanë kaluar çdo kufi.

Prej më shumë se 1 jave  në media nuk flitet për gjë tjetër veçse për brazilianin Neymar, transferimi i të cilit te Paris Saint Germain do të jetë më i kushtueshmi në historinë e futbollit.

Sipas mediave të ndryshme tashmë Neymar ndodhet në Doha për t’u takuar me drejtuesit e klubit parizien përpara se të kryejë vizitat mjekësore. Për të arritur te sulmuesi brazilian Paris Saint Germain ka pranuar të paguajë klauzolën e futbollistit prej 222 milionë euro.

Pas Neymar, transferimi më i shtrenjtë është ai i Paul Pogba nga Juventus te Manchester United me Djajtë e Kuq që i paguan Zonjës së Vjetër plot 105 milionë Euro për kartonin e mesfushorit francez.

Podiumin e transferimeve më të shtrenjta e plotëson Reali i Madridit me blerjen e Gareth Bale në vitin 2013 kur derdhi në arkat e Tottenhamit plort 101 milionë Euro.

Vetëm në vendin e katërt është kalimi i Ronaldos nga Manchester United te Reali i madridit, me 94 milionë Euro.

Pesëshen e blerjeve më të shtrenjta në merkaton e transferimeve në vitet e fundit e plotëson Juventusit që i pagoi Napolit plot 90 milionë Euro për të siguruar shërbimin e argjentinasit Gonzalo Higuain.