Trajneri i notit shpëton mrekullisht nga mbytja 16-vjeçarin në Sarandë

Trajneri i notit shpëton mrekullisht nga mbytja 16-vjeçarin në Sarandë

Një rast mbytjeje është regjistruar pasditen e së mërkurës në bregdetin e Sarandës ku një ri rreth 16 vjeç ka rrezikuar jetën, por fatmirësisht është shpëtuar nga një trajner noti.

Gjatë kohës që 16-vjeçari ka qenë duke u larë në plazhin e ri në Sarandë, ai ka shfaqur probleme dhe nëna e tij ka kërkuar ndihmë tek njerëzit përrreth. Për fat të mirë në vendngjarje kanë qenë dy notarë të vjetër një prej të cilëve trajner noti, të cilët i kanë ofruar ndihmë adoleshentit.

“Isha duke zhvilluar stërvitje me ekipin, kur papritmas më thërret një prind dhe më tregon që po mbytet një djalë. Kemi shkuar e kemi nxjerrur në momentet që ishte kritike, pasi po i mbushej trupi me ujë. E kemi nxjerrë në breg të detit dhe aty kemi lajmëruar një ambulancë. Këta rojet e plazhit përderisa kanë marrë një detyrë duhet të jenë aty”, u shpreh trajneri notit, Edi Vasi.

Në vendin ku ka ndodhur ngjarja, kulla e vrojtimit është vetëm 100 m larg.

Ndërkohë bregdeti i Sarandës ka të punësuar edhe shpëtimtar të cilët tashmë paguhen nga bashkia e këtij qytetit, por kërkesa për ndihmë e nënës së 16 vjeçarit nuk u ka bërë përshtypje, çka ka detyruar të tjerë njerëz të mbulojnë punën e tyre për të cilën paguhen.