Trajneri kroat: Nuk ka më futboll pa drogat qetësuese

Trajneri kroat: Nuk ka më futboll pa drogat qetësuese

Trajneri i Eintrachtit të Frankfurtit, Niko Kovaç, pranoi haptazi për “Bild” se “ata që mendojnë se ka futboll profesionit pa përdorur qetësuesit e dhimbjeve, janë në rrugë të gabuar.

Profesionistët e sforcojnë trupin e tyre deri në limitet e tij dhe pa këto qetësues ti nuk mund t’ia dalësh të luash futboll”.

Ai mbështeti dyshimet e hetimit që ka nisur FIFA në lidhje me Botërorin e Brazilit në vitin 2014, ku 70% e futbollistëve dyshohet se kanë marrë droga qetësuese.

Rreth 30% e tyre kanë përdorur edhe medikamente qetësuese, disa prej tyre thjesht si masë parandaluese. Në ndryshim nga shumë sporte të tjera, përdorimi i drogave qetësuese në futboll nuk konsiderohet një shkelje, për sa kohë lista e këtyre qetësuesve nuk përfshihet në atë të dopingut.

Për trajnerin kroat, përdorimi i këtyre ilaçeve është për momentin shumë i rëndësishëm: “Ne jemi absolutisht në limitet e skuadrës, ku vetëm 50% e lojtarëve janë të gatshëm”. Skuadra e tij, e cila lufton për një vend në Europë, ka pasur një rënie drastike të formës, për shkak të problemit të dëmtimeve këto muajt e fundit.

Ata i kanë humbur tri ndeshjet e tyre të fundit në Bundesligë dhe mezi eliminuan Arminia Bielefeldin në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë këtë javë.

Ata u prezantuan në atë ndeshje pa 9 futbollistë të dëmtuar dhe Kovaç shtoi se përpara sfidës ndaj Fraiburgut, ai shpreson që të ketë të gatshëm mbrojtësin Bastian Oczipka. Ai mund të rikthehet në skuadër dhe Kovaç sqaroi se, nëse do të jetë e nevojshme, doktorët do të përdorin edhe drogat lehtësuese.