Trajneri i Kosovës që nuk ka drejtuar asnjë skuadër profesioniste më parë

02.09.2016 21:00

Tre ditë para ndeshjes së parë zyrtare kualifikuese të nivelit ndërkombëtar, të cilën Kosova do ta zhvillojë në Finlandë ndaj reprezentacionit të këtij shteti, përfaqësuesja kosovare ka në bankinë një trajner që po ashtu do të zhvillojë për herë të parë një ndeshje zyrtare ndërkombëtare.

Trajneri i Kosovës që nuk ka drejtuar asnjë skuadër profesioniste më parë

Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki është në të njëjtën situatë sikurse vetë përfaqësuesja që ai drejton, pasi që të dy janë debutues në ndeshjen historike ndaj Finlandës. Ai nuk ka drejtuar asnjëherë një skuadër profesioniste në nivel ndërkombëtar – para përfaqësueses kosovare – si menaxher në karrierën e tij.

Bunjaki, i cili jeton prej shumë kohësh në Suedi, në karrierën e tij “Low Profile”, ka drejtuar katër skuadra – dy prej të cilave kanë qenë skuadra të moshave, Orebro U-19 dhe U-21, ndërsa po ashtu ka drejtuar edhe dy skuadra të kategorive të ulëta të ligave suedeze.

Orebro Syrianska është skuadra gjysmë-profesioniste nga Suedia që Bunjaki e ka drejtuar për një sezon ën vitin 2003.

Skuadra e dytë e drejtuar nga Bunjaki si trajner është po ashtu një skuadër që bën gara në divizionet e ulëta të Suedisë – Tidaholms, e cila momentalisht garon në divizionin e katërt të futbollit suedez.

Tekniku 45-vjeçar, karrierë më të mirë ka bërë si ndihmës-trajner. Trajneri aktual i përfaqësueses kosovare ka qenë ndihmës-trajner në skuadra elitare të futbollit suedez, si Orebro dhe Kalmar. Ai ka qenë ndihmës i trajnerit të njohur suedez Per Ola-Ljung tek Orebro në sezonin 2013.

Ai ka qenë po ashtu ndihmës-trajner edhe tek skuadra tjetër profesioniste suedeze, që bën gara në  kategorinë e dytë të futbollit suedez, Degerfors.

SONY DSC

 

Bunjaki, përvojën më të madhe e ka të fituar në ndeshjet miqësore me Kosovën. Ai ka zhvilluar nëntë tetë miqësore – përfshirë ndeshjet kur Kosova nuk njihej nga FIFA dhe pas saj, nga të cilat ka arritur të fitojë tri herë, tri herë të tjera ka humbur derisa dy prej tyre kanë përfunduar në barazim.

Megjithatë, përvoja e fituar së punuari me ndihmës-trajnerin e tij tek Kosova për vite me radhë, Tord Grip – i cili nuk është ftuar të jetë sërish ndihmësi i tij në ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës – mund të rezultojë sukses për trajnerin 45-vjeçar. Grip ka qenë ndihmës-trajner i Sven-Goran Eriksson tek Anglia për pesë vite.

Bunjaki, ndërkaq, ka merita të pakontestueshme në afrimin e futbollistëve të talentuar kosovarë nga jashtë vendit. Ish ndihmës-trajneri i Orebros ka lënë tashmë shenjën e tij tek përfaqësuesja kosovare, pavarësisht rezultateve që do arrijë ai ka konfirmuar talentin e Celinës, Halimit apo Bytyqit, të cilët janë lojtarë që pritet të bartin barrë të rëndësishme në të ardhmen.

Ai dhe Kosova do të “debutojnë” zyrtarisht të hënën dhe një rezultat pozitiv në testin e parë finlandez, do t’i jepte atij një profil më të lartë dhe do ia rikthente besimin tifozëve të përfaqësueses kosovare. /Insajderi.com