Trajneri i Dinamos kërcënon Skënderbeun

Trajneri i Dinamos kërcënon Skënderbeun

Mario Cvitanovic insiston se skuadra e tij do të synojë kualifikimin në fazën e grupeve të Europa Leagues, pavarësisht barazimit para një jave në stadiumin e tyre ndaj Skënderbeut 1:1

Dinamo e Zagrebit udhëtoi drejt Shqipërisë për kthimin e “play off”-eve të Europa League ndaj Skënderbeut, një ndeshje që ka dalë jashtë llogarive të kroatëve pas barazimit 1-1 në shtëpi.

Por, edhe pse shumëkush e sheh të disavantazhuar ekipin dalmat, trajneri Mario Cvitanovic nuk do të bazohet te rezultati në stadiumin “Maksimir”.

“Ne i kemi analizuar mirë dy ndeshjet e fundit dhe kemi punuar mbi ato çfarë nuk kanë shkuar siç duhet. Kemi bërë shumë gabime dhe kemi pasur një qasje të keqe, sidomos në pjesën e parë ndaj Skënderbeut. Por është futbolli evropian dhe ne nuk dorëzohemi. Kemi të drejtë të mendojmë ndryshe dhe synojmë kualifikimin. Nuk do të përfshihemi në llogari, por do të synojmë fitoren”, tha trajneri i kroatëve, shkruan Top Channel.

Suksesi 2-0 në kampionatin kroat ndaj Slaven Belupos, ku u bë protagonist dhe kosovari Amir Rrahmani, ka përmirësuar klimën te Dinamo.

“Në ndeshjen e fundit, skuadra tregoi karakterin e vërtetë dhe dëshirën për të luftuar. Jemi gati dhe në kapacitet të plotë që ta bëjmë sërish”, paralajmëroi tekniku Cvitanovic.

Skënderbeu pret Dinamon e Zagrebit të enjten në orën 20:00, në “Elbasan Arena”. Një barazim pa gola do t’i çonte korçarët për herë të dytë në fazën e grupeve të Europa League.