Trajneri i Belgjikës: Januzaj mund të shkëlqejë me Belgjikën

Trajneri i Belgjikës: Januzaj mund të shkëlqejë me Belgjikën

Roberto Martinez beson që Adnan Januzaj mund të bëhet futbollist shumë i rëndësishëm për kombëtaren e Belgjikës.

Martinez nuk e ka ftuar ende mesfushorin me origjinë shqiptare në përfaqësuese, prej se mori drejtimin e Belgjikës në verë të vitit 2016.

Megjithatë, tekniku spanjoll ka thënë se Januzaj mund të ftohet në kombëtaren belge në të ardhmen. Ai ka thënë se mesfushori i Manchester United, që momentalisht luan i huazuar tek Sunderland, mund të shkëlqejë për Belgjikën.

“Ne të gjithë e shohim talentin natyral që ai ka. Ai është një tip i futbollistit që mund ta bëjë diferencën kur ka topin. Unë mund t’i japë shpresa të mëdha atij, sepse ne nuk kemi një futbollist kreativ që mund të luajë në krahun e majtë. Duke parë mënyrën se si ne luajmë, ai mund të shkëlqejë në atë rol në kombëtare”, ka thënë Martinez të dielën në një intervistë me televizionin britanik Sky Sport.

Januzaj kishte refuzuar kombëtaren shqiptare në vitin 2014, disa muaj para fillimit të Kampionatit Botëror, kur kishte vendosur të luante për Belgjikën.

Ai nuk i ka kthyer asnjëherë përgjigje ftesës së përfaqësueses kosovare. /Insajderi.com