“T’padashtun” në Prishtinë e Prizren

“T’padashtun” në Prishtinë e Prizren

Filmi “T’padashtun”, pas premierës botërore që pati në festivalin prestigjioz në Karlovy Vary të Çekisë, në fillim të korrikut, dhe asaj vendore në “PriFilmFest” në kryeqytet dy javë më pas, do të shfaqet në Prishtinë e Prizren.

Filmi nën regji të Edon Rzivanollit që prej së enjtes së ardhshme do të jetë në repertorin e kinemasë “Cineplexx” në Prishtinë, e dy ditë më pas edhe në “DokuKino”.

Siç ka njoftuar Qendra Kinematografike e Kosovës të premten, filmi do të shfaqet në këto dy kinema për një javë rresht. Kësisoj, “T’padashtun” do ta plotësojë kriterin bazë që të mundë të jetë propozim i Kosovës për “Oscar”.

Kur QKK-ja në fillim të gushtit lansoi thirrjen për filmbërësit që t’i dërgojnë propozimet për konsiderim për çmimin “Oscar”, që mund ta përfaqësojë Kosovën sivjet, filmin e Rizvanollit dhe atë “Eho” të Dren Zherkës i kishte cilësuar si filma që mund t’i plotësojnë kriteret.

Në thirrjen e QKK-së thuhej se të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë filmat nga Kosova që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë rresht në kinematë e vendit, duke nisur nga data 1 tetor e vitit 2016 e jo më larg sesa data 30 shtator e këtij viti, e të cilët i plotësojnë edhe kushtet e tjera të vëna nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”. Data e fundit për dorëzimin e propozimeve është 10 shtatori.

“T’padashtun” shtjellon dramën rrëqethëse të një familjeje refugjate nga Kosova, e cila jeton në Holandë dhe ballafaqohet me një dashuri që zgjon shumë plagë të së kaluarës së afërt nga lufta në Kosovë. Stacioni i radhës për këtë film është Festivali i Filmit Holandez, ku garon për çmime e do të shfaqet tri herë para audiencës në Utrecht. Gjatë tetorit, ky film – në të cilin rolet kryesore i luajnë Adriana Matoshi, Jason de Ridder, Niki Verkaar, Hugo Koolschijn, Celia Nufaar – do të shfaqet edhe në Luksemburg si pjesë e festivalit garues “Cineurope”. Një muaj më vonë, do të ndalet edhe në Shkup, ku do të jetë pjesë e festivalit “Cinedays”.

Ndryshe, muajin e kaluar QKK-ja ka emëruar anëtarët e Komitetit selektues për përzgjedhjen e filmit, i cili do të jetë propozimi i Kosovës në “Oscars”. Ky Komitet përbëhet nga Astrit Kabashi, kryesues, Antoneta Kastrati, Visar Krusha, Doruntina Basha, Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca dhe Zymber Kelmendi.