Totaj beson se rinumërimi do të sjellë ndryshim të rezultatit

Totaj beson se rinumërimi do të sjellë ndryshim të rezultatit

Pas ankesave të paraqitura nga subjektet politike për parregullsitë në ditën e votimit të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, PAZAP ka marr vendim për rinumërim të votave në dy komuna.

Sipas vendimit, komuna e Prishtinës dhe ajo e Prizrenit do shkojnë në tërësi në rinumërim të votave.

Këtë rinumërim e ka mirëpritur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Prizrenin, Shaqir Totaj, i cili sipas rezultateve të KQZ-së të publikuara me 19 nëntor, ka dalë i dyti në këto zgjedhje.

Në një prononcim për Indeksonline, Totaj ka thënë se është optimist që rinumërimi i votave do ndikojë në ndryshimin e rezultateve.

“Besoj që ka mundësi të ndikojë dhe jam optimist që do ndikojë. Por, mbetet të shihet”, ka thënë Totaj.

Ai beson që ankesa e PDK-së, ka ndikuar në marrjen e këtij vendimi.

“Vendimin e natyrës së tillë nuk ja vlen ta komentojmë më. Ajo duhet të zbatohet dhe ka arsye e argumente për marrjen e këtij vendimi. Ne kemi bërë një ankesë dhe besojë që ankesa ka qenë njëra prej arsyeve, kurse argumentet janë bazë ligjore”, ka shtuar Totaj.

Ndërsa, i kontaktuar nga Indeksonline, kandidati i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka i cili ka dal i pari në Prizren sipas rezultateve të para të publikuara nga KQZ, këtë vendim e ka konsideruar si politikë.

“Ky është një vendim politik”, ka thënë Haskuka.

Ndryshe, sipas vendimit të PZAP-së, komuna e Rahovecit, Istogut dhe Dragashit shkojnë në rinumërim të pjesshëm.