Tjetër surprizë në “Australian Open”, eleminohet edhe Murray

Tjetër surprizë në “Australian Open”, eleminohet edhe Murray

Nuk kanë të sosur befasitë në “Australian Open”, i pari nga katër Grand Slam-et e vitit në tenis.

Pas Novak Djokoviç, edhe Andy Murray i ka dhënë para kohe lamtumirën turneut të Melburnit.

Numri një i botës u eliminua nga gjermani Mischa Zverev, i 50-ti në renditje, në katër sete (7-5, 5-7, 6-2, 6-4) pas tri orësh e gjysmë lojë.

Tenisti skocez, i cili ka luajtur në pesë finale të “Australian Open”-it por pa mundur ta fitojë asnjërën, bëri shumë gabime dhe nuk u duk se e kishte lojën nën kontroll për asnjë moment.

Për 29-vjeçarin Mischa, vëllai i madh i Aleksandër Zverevit i cili u eliminua nga Rafael Nadal, kjo është e para herë në karrierë që kualifikohet në çerekfinale të një Grand Slami.

Gjermani nuk e kishte kaluar asnjëherë raundin e dytë. Kjo është hera e parë që nga viti 2002 që dy tenistët më të mirë të botës mbeten jashtë çerekfinaleve të “Australian Open”-it.