Tirana feston sot Ditën e Verës  

Tirana feston sot Ditën e Verës   

Tirana do të festojë sot Ditën e Verës. Aktivitetet për të gjitha grupmoshat janë shpërndarë në gjashtë zona të ndryshme, të cilat do të nisin që në orët e para të ditës dhe do të përfundojnë vonë pas mesnate.

Festa do të nisë në orën 09:00 me inaugurimin e Pazarit të Ri, i cili është transformuar tërësisht në një hapësirë multifunksionale, që do të shërbejë jo vetëm si markatë për qytetarët e Tiranës, por në të njëjtën kohë edhe si një zonë tërheqëse për të kaluar pasditen. Në këtë zonë, do të organizohet Këndi i Fëmijëve te Pikturës, koncerti i Ansamblit të Operas dhe Baletit, ndërsa pasdite do të ketë muzikë live.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës fton të gjithë qytetarët e Tiranës që të ndjekin koncertin e madh festiv që do të organizohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Parkut Rinia në orën 11:00, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë, Alban Skënderaj, Marsela Çibukaj, Klajdi Haruni & Bruno.

Lojëra, argëtime, panairi i biznesit, karnavalet, Bienalja e Akuarelit me 400 artistë të huaj dhe super street party janë disa prej aktivitetet që do të zhvillohen në Tiranë më 14 mars, duke e kthyer kryeqytetin në epiqendrën e festimeve për Ditën e Verës.

Bashkia e Tiranës ka njoftuar qytetarët se gjatë gjithë ditës së sotme, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Hotel Dajtit deri te korpusi i ministrive. Po ashtu, do te kufizohet qarkullimi edhe ne Rr. Pjetër Bogdani segmenti Vaso Pasha – Ibrahim Rugova, në Rr. Brigada VIII segmenti Vaso Pasha – Ibrahim Rugova dhe Sheshi Nënë Tereza./Insajderi.com