Tillerson rrit presionin mbi Pakistanin

23.08.2017 08:19
Tillerson rrit presionin mbi Pakistanin

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka rritur presionin kundër Pakistanit, për shkak të mbështetjes së tij të perceptuar për talibanët në Afganistan.

Pakistani mohon strehimin e talibanëve, por Tillerson tha se ai mund të humbasë privilegjet nga SHBA-ja nëse Qeveria nuk arrin “të ndryshojë qëndrim”.

Tillerson i bëri komentet një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, shpalli një strategji të re, duke u zotuar se forcat amerikane do të vazhdojnë të mbështesin forcat afgane në luftën kundër kryengritësve.

SHBA-ja është aleate e rëndësishme e Pakistanit.

Pakistani gëzon status të veçantë si partner joanëtar i NATO-s dhe merr miliarda dollarë ndihma.

Por, Tillerson tha se të gjitha këto “mund të vihen në tryezë për diskutim” nëse Pakistani nuk e ndryshon qëndrimin dhe qasjen ndaj organizatave terroriste që gjejnë strehim atje.

Tillerson po ashtu theksoi se një Pakistan i qëndrueshëm është në interesat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.

“Ai është fuqi bërthamore dhe ne kemi shqetësime për sigurinë e armëve të tij”, tha Tillerson.