“Thirrjet për të ndryshuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, thirrje për luftë ballkanike”

“Thirrjet për të ndryshuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, thirrje për luftë ballkanike”

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka komentuar supozimet për ndryshimin e kufijve administrativë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se thirrjet për ta ndryshuar kufirin mes Serbisë dhe Kosovës janë thirrje për luftë ballkanike.

“Thirrjet për të ndryshuar kufirin mes Serbisë dhe Kosovës ose për ta marrë veriun është thirrje për luftë, jo luftë mes shqiptarëve dhe serbëve por luftë ballkanike. Këtë e di shumë mirë dhe jam shumë i bindur se Bashkësia Ndërkombëtare nuk do të lëshojë pe për arsye se bëhet një problem shumë më i madh se sa dikush mendon”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri në Info Magazine të Klan Kosovës është shprehur i bindur se një supozim i tillë nuk do të ndodhë, pasi sipas tij, këtë nuk do ta lejojë as Bashkësia Ndërkombëtare.

“Ka shumë shtete të Ballkanit që kanë probleme me kufijtë apo me qytetarët e shteteve të tjera që duan bashkim. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë sepse direkt është thirrje për luftë – me u ‘kall’ gjithë Ballkani”, ka shtuar ai.

I pari i Mitrovicës së Jugut ka ftuar për debat kryetarin e anës tjetër të qytetit të Mitrovicës, Goran Rakiq.

“Unë jam i gatshëm 24 orë, kudo që ai dëshiron, edhe në Beograd dhe kudo që do ai. Sot e ftoj, ta lërë vendtakimin ku do ai, edhe në Beograd jam i gatshëm që të shkojë dhe nuk e kam asnjë problem. Do ta them atë që mendoj se është e mirë për të gjithë qytetarët. Jam njeri që vi nga fusha e biznesit dhe një njeri i biznesit nuk njeh nacionalitet, racë, kufi e aq më pak barrikadë”, ka thënë Bahtiri.