Therja e 21-të për Zejnepe Berishën

Zejnepe Berisha, u vra nga bashkëshorti i saj me 20 therje me thikë. Thikën e 21-të ia nguli drejtësia. Nëse ne nuk reagojmë, rrezikojmë që të mbajmë përgjegjësi për therjen e 22-të. E atëherë nuk kemi si t'i ikim dënimit kapital të cilin do ta vuajmë ne.

Therja e 21-të për Zejnepe Berishën

Tragjedia për Zejnepe Berishën ka përfunduar me 23 tetor 2015, kur në shtëpinë e saj u ther me thikë nga bashkëshorti plot 20 herë.

Por tragjedia jonë si shoqëri e cila jeton me një sistem të prishur në drejtësi, ka filluar atë ditë. Dhe ne kemi dështuar ta dënojmë këtë akt qyqar të një burri që për pak nuk e vrau edhe vajzën e tij. Për këtë ai u dënua me 6 muaj burgim.

E për vrasjen e bashkëshortes së saj vetëm 12 vite burg. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thot “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes”.

Arsyetimi i Gjykatës Themelore në Prizren ishte kulmi i tragjedisë sonë, të cilës nuk mund t’ia shohim fundin nëse nuk reagojmë.

“Duke konstatuar se vepra penale është kryer në gjendjen e mendësisë së kufizuar, për veprën penale të vrasjes së rëndë i shqipton dënimin me 12 vite burgim, ndërkaq për veprën e dytë të lëndimit të lehtë trupor dënimin prej një viti”, tha gjyqtari Xhevdet Elshani.

Ky gjyqtar e përmend “gjendjen e mendësisë së kufizuar” duke na thënë se Nebih Berisha kur e vrau bashkëshorten e tij, Zejnepe Berishën, ka qenë në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore por është i aftë për të therur plot 20 herë dhe për të prerë në dorë edhe vajzën e tij.

Ai u bauza në fjalën e kryetarit të Komisionit të psikiatrisë forenzike, Fahri Drevinjaaftësia i cili në seancën e mbajtur me 11 korrik të vitit të kaluar, tha vrasësi nuk ka qenë i “aftë për t’i kontrolluar dhe ndaluar veprimet e tij ka qenë e zvogëluar esencialisht”

Në fakt krejt kjo ekspertizë i shkon më shumë përshkrimit të Kosovës si një vend ku drejtësia “aftësi esencialisht të zvogëluar”nëse flasim me termin mbi të cilin në këtë shtet vendoset të arsyetohet një veprim barbar i një burri ndaj gruaje.

Dhe krejt kjo i shkon për shtati heshtjes së turpshme që ky shtet e ka bërë ndaj thirrjeve të vazhdueshme të Zejnepe Berishës për ndihmë nga dhuna permanente e bashkëshortit.

Për këtë fakt edhe nëna e Zejnepes, ka plotësisht të drejtë kur e cilëson këtë vendim të gjykatës me ditën e varrimit të vajzës së saj.

Një ditë pas këtij vendimi ajo rrëfen edhe raste të shpeshta të dhunës permanente që i është shkaktuar vajzës së saj ndalimin e së cilës ky shtet kurrë se kishte bërë përkundër thirrjeve.

Ndoshta për këtë arsye, bashkëshorti i Zejnepës duhet ta ndajë dënimin edhe me të tjerët. Ndoshta ai bash kaq vjet i meriton burg, sepse dënimin kapital e meritojnë ta vuajnë bashkë me të edhe institucionet e këtij shteti.

Edhe ne si shoqëri që e presim vrasjen për të reaguar e na ndodhin çdo ditë raste të tilla, meritojmë ta ndajmë dënimin me vrasësin. Sepse ai ka qenë këtu, prodhim i joni, ka ekzistuar si pasojë e tolerancës sonë.

Një kat më poshtë ose më lart në banesat ku jetojmë, një gardh më tutje nga shtëpitë tona dhe jo më shumë se një gjeneratë larg nëpër të afërmit tanë.

Më së shumti, për këtë arsye kjo vrasje e cila ka marrë një vëmendje të madhe meriton të marrë dënimin e merituar.

Sepse nuk ka të bëjë me dënimin e një burri se ka vrarë gruan e tij, sepse të tillë burra ka qindra e me mijëra në shoqërinë tonë, por sepse ky duhet të jetë një dënim për këtë fenomen.

Një dënim kapital për mendësinë e prapambetur të një shoqërie e cila është e kapur prej idesë së burrnisë e mbrojtjes së nderit por mbi të gjitha dhënien e primatit ose të drejtës dikujt  për ta nënshtruar tjetrin duke u bazuar në gjini ose çfarëdolloj dallimi tjetër.

Për këtë arsye edhe është e rëndësishme që të rrisim zërin për të treguar se megjithatë nuk jemi me “aftësi esencialisht të zvogëluar”.

Sepse nëse Zejnepe Berisha, u vra nga bashkëshorti i tij me 20 therje me thikë dhe thikën e 21-të ia nguli dje drejtësia, duke e dënuar vrasësin e saj me vetëm 12 vite e 6 muaj burg dhe ne nuk reagojmë, rrezikojmë që të mbajmë përgjegjësi për therjen e 22-të.

Dhe në këtë mënyrë edhe dënimi rritet aq shumë sa mund të bëhet i papërballueshëm duke na vendosur përballë dy zgjedhjeve:

  • burgim të përjetshëm si shoqëri brenda këtyre rregullave ku burri mund ta vras gruan dhe të jetë normale që thirrjes për ndihmë shteti ti mos përgjigjet në emër të “traditës së gruaja i takon burrit” apo thjeshtë “Kanunit”, apo
  • fundosje në një anarki ku vrasja bëhet e natyrshme, pak e dënueshme dhe më e keqja, e kuptueshme, në rrethanat kur njerëzit kanë “aftësi esencialisht të zvogëluar”.