Themeluesi i ‘web’-it shpreh shqetësim për të ardhmen e internetit

Themeluesi i ‘web’-it shpreh shqetësim për të ardhmen e internetit

Për 28 vjetorin e WWW (world wide web), themeluesi i saj Tim Berners-Lee ka bërë thirrje për shpëtimin e internetit.

Në një letër të hapur, Sir Tim ka përcaktuar një strategji pesë-vjeçare mes shqetësimeve që ai ka se si interneti po përdoret, shkruan BBC.

“Në 12 muajt e fundit jam ndier i shqetësuar për tre trende të reja të cilat duhet të adresohen nëse uebi duhet të përmbushë qëllimin e tij si një mjet që i shërben njerëzimit,” u shpreh ai.

Privatësia, më konkretisht humbja e kontrollit të të dhënave personale, shpërndarja e informacionit të rrejshëm dhe mungesa e transparencës në reklamimin politik janë tri kërcënimet të cilat po shkatërrojnë uebin.

Kur ai hodhi propozimet e para për uebin, Lee imagjinonte një platformë të hapur për të gjithë ku mund të ndanin informacion dhe mundësi pa asnjë pengesë gjeografike dhe kulturore.

Por besimi i tij u trondit vitin e kaluar pas disa hakimesh të profilit të lartë dhe shpërndarjes së lajmeve të rreme nga ushtria e robotëve dhe algoritmave.

Pastaj përdoruesit shpesh nuk mund të përcaktojnë se sa të dhëna duan të ndajnë pasi termet dhe kushtet japin vetëm mundësinë e “të gjitha ose asnjë”.

Tani ai kërkon gjithë atyre që kanë ndihmuar në zgjerimin e rrjetit me blogje, foto, video e faqe të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve praktike.

Sir Tim tha që dëshiron të punojë me kompani për të kthyer nivelin e duhur kontrollimin e të dhënave nga njerëzit. Ndërsa mediat sociale duhet të vazhdojnë tentimet e tyre për të luftuar problemin e lajmeve të rrejshme.

Berners-Lee është njëri prej disa figurave të shquara nga bota e teknologjisë që janë të shqetësuar për të ardhmen e internetit.

Një javë më parë ish-ekzekutivja e Cisco shprehu shqetësim për sulmin fundamental që po ndërmerret ndaj privatësisë dhe sigurisë. “Si të përdorim teknologjinë me përgjegjësi?” ishte pyetja që ajo ngriti.

Po javën e kaluar WikiLeaks tronditi opinionin publik pas publikimit të një arsenali armësh kibernetike të përdorur nga CIA prej të cilave nuk shpëtonte dot askush.