“Theksi i Vuçiqit mund të jetë fatal për sovranitetin e Kosovës”

“Theksi i Vuçiqit mund të jetë fatal për sovranitetin e Kosovës”

Dëshira e shprehur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “për nisjen e një dialogu të brendshëm serb për Kosovën”, shihet me rezerva nga sociologu Ibrahim Berisha.

Profesori universitar ka thënë sot se kjo deklaratë e Presidentit të Serbisë mund të jetë fatale për sovranitetin e Republikës së Kosovës. Berisha ka thënë se Serbia e Vuçiqit dëshiron hise në Kosovë, raporton Insajderi.

 

“Teksti i Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me theksin ‘për të nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovë’, mund të jetë ndër më fatalët për tërësinë integrale dhe sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Berisha, përmes një shkrimi të postuar në rrjetin social Facebook.

E për të marrë hisen që Serbia dëshiron në Kosovë, Vuçiq do të përdor Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, shprehet Berisha.

“Vuçiq edhe formalisht do hisen e Serbisë në Kosovë, të cilën e konfirmon se tashmë e ka dhe duhet përfunduar me procedura “demokratike”. Ai nuk flet për shtetin e Kosovës, por për një pjesë të Serbisë në Kosovë, i cili sipas konstruktit politiko-administrativ të Beogradit, formalizohet përmes Asociacionit si hap i fundit për copëtimin territorial të Kosovës”, ka thënë Berisha në një status në Facebook.

Sipas Berishës, Vuçiq jo rastësisht del me këtë propozim kur kriza e bërjes së qeverisë është e dukshme dhe partia e tij në Parlamentin e Kosovës synon të maksimalizojë përfitimet që i dhurohen nga kultura bajraktare dhe provinciale e liderëve të partive të shqiptarëve. /Insajderi.com