Thaçi: Veprimet e presidentit maqedonas janë antishqiptare

Thaçi: Veprimet e presidentit maqedonas janë antishqiptare

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në Maqedoni, duke i cilësuar ato si shumë shqetësuese.

“Zhvillimet politike në Maqedoni janë shumë shqetësuese. Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti”, ka shkruar Thaçi në facebook.

“Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit”, ka shtuar ai.

Sipas Thaçit, shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj.

“Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë. Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”, ka përfunduar presidenti Thaçi./Insajderi.com