Thaçi u drejtohet mediave pas kundërshtimit të NATO-s e ShBA-së për ushtrinë

08.03.2017 14:34
Thaçi u drejtohet mediave pas kundërshtimit të NATO-s e ShBA-së për ushtrinë

Pas shqetësimeve të ngritura nga NATO dhe Ambasada e ShBA-ve në Kosovë lidhur me projektligjin për FSK-në, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si iniciues i kësaj nisme, ka thirrur një konferencë për media.

Konferenca e presidentit do të mbahet në orën 18 ndërsa nuk është njoftuar lidhur me arsyet e thirrjes së saj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të publikuar të mërkurën ka theksuar “shqetësimet për propozimin për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Stoltenberg, që ka zhvilluar gjatë ditës biseda telefonike me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, thotë se “NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje”.

“Sot kam biseduar me Hashim Thaçin dhe me Isa Mustafën që t’ua përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur, pa ndryshime kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”, ka thënë Stoltenberg.

Nismën e Thaçit nuk e ka përkrahur as Ambasada e Amerikës./Insajderi.com