Thaçi: I kërkova Vuçiqit të mos i frikësoj deputetët serbë të Kosovës

Thaçi: I kërkova Vuçiqit të mos i frikësoj deputetët serbë të Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka arsyetuar bisedën e tij telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të cilën tregoi vetë edhe në paraqitjen para mediave kur bëri publik Projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Kam folur atë ditë edhe me sekretarin e NATO-së, edhe me vendet e Kuintit. I telefonova edhe Vuçiqit për t’i kërkuar që mos t’i frikësojë deputetët serbë të Kosovës, që mos t’i pengojë ata që të kthehen në Kuvend për të votuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për demarkacionin me Malin e Zi e për themelimin e ushtrisë”, ka thënë Thaçi në një intervistë për RTK.

Biseda e tij me Vuçiqin përmes telefonit nuk mbeti pa u komentuar në vend.

Anton Quni, deputeti i LDK-së, e ka quajtur të papranueshëm dhe të lëndueshëm faktin që presidenti i vendit Hashim Thaçi ka folur me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq menjëherë pas iniciativës për transformim të FSK-së në Ushtri dhe një gjë të tillë nuk e ka bërë me kryeministrin e vendit Isa Mustafa.

Ai ka thënë se ky është gabim i presidentit dhe ai është dashur të konsultohet jo vetëm me kryeministrin Mustafa, por edhe me ekspertë të shumtë për çështjen e Ushtrisë. /Insajderi.com