Thaçi: Të dalim mbi logjikën provinciale, ta votojmë demarkacionin

Thaçi: Të dalim mbi logjikën provinciale, ta votojmë demarkacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se po i afrohemi ditës kur do të ratifikohet kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe se me këtë Kosova, ka thënë ai, Kosova nuk do të humb asnjë metër katror të territorit të saj.

“Sa më shumë që i afrohemi ditës kur Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ratifikojë shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, aq më tepër Kosova po dëshmon vendosmërinë për të ardhmen e saj euroatlantike. Faktet e reja dëshmojnë se procesi i shënimit të vijës kufitare nuk ka pasur asnjë lëshim dhe, si përfundim, Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj. Këto fakte hedhin poshtë në tërësi kauzat e rreme të kundërshtarëve të këtij procesi të cilët në vazhdimësi e kanë kundërshtuar atë për interesa personale dhe përfitime politike”, ka shkruar presidenti Thaçi në llogarinë e tij në facebook.

Gjithashtu ai ka shtuar se ky vullnet politik i pjesës dërmuese të deputetëve është një zhvillim pozitiv për ta votuar ratifikimin e marrëveshjes.

“Ky zhvillim i ri pozitiv ka bërë që të fuqizohet vullneti politik i pjesës dërrmuese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta votuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. I gjithë opinioni publik dhe në veçanti deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë kuptuar në mënyrë të drejtë rëndësinë e këtij vendimi, i cili i hap Kosovës perspektivë të sigurt euroatlantike dhe fuqizon subjektivitetin e saj ndërkombëtar”, ka shkruar më tej ai.

“Edhe një herë ftoj gjithë spektrin politik dhe deputetët e Kuvendit të ngrihen mbi çdo interes dhe logjikë provinciale. Të veprojmë sa më të bashkuar për interesat e vendit. Këtë e presin qytetarët e Kosovës, këtë e presin miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka përmbyllur shkrimin e tij Thaçi./Insajderi.com