Thaçi: Sulmi ndaj Kuvendit ishte akt terrorist

Thaçi: Sulmi ndaj Kuvendit ishte akt terrorist

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas arrestimit të gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët dyshohen se kanë sulmuar me armë ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht.

Presidenti Thaçi ka thënë se “sulmi kundër institucionit më të lartë politik në vend, Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte një sulm terrorist dhe kjo formë e veprimit politik është e papranueshme dhe e patolerueshme.”

Përmes një komunikate për media, presidenti Thaçi thotë se dhuna politike nuk do të ketë vend në shoqërinë dhe Kosovën tonë të re, të cilën me shumë sakrificë e kemi ndërtuar.

“I mbështes organet e rendit që të jenë të pakompromis në ndjekjen e të gjithë atyre që cenojnë në çfarëdo forme shtetin e Kosovës. Për punën e tyre ato meritojnë mirënjohje nga të gjithë ne”, thuhet në komunikatë.

“Edhe qytetarët e Kosovës meritojnë vlerësim të lartë për pjekurinë e treguar, sepse ata vazhdimisht kanë kundërshtuar dhunën si formë të veprimit politik. Gjithashtu, ftoj të gjitha subjektet politike që të mos bëhen pjesë e retorikës së dhunës dhe t’i lënë interesat e ngushta politike, por të bashkohen për të mirën e përgjithshme të Republikës së Kosovës.”

Gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes u arrestuan nga policia të martën si të dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit.  Në një konferencë për media, prokuroria ka thënë se ata dyshohen për terrorizëm.  Vetëvendosje ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se rasti është i montuar dhe po ndodhë vetëm dy ditë para protestës së paralajmëruar kundër demarkacionit./Insajderi.com