“Thaçi s’ka të drejtë të flasë për Haradinajn dhe shqiptarët në Maqedoni”

“Thaçi s’ka të drejtë të flasë për Haradinajn dhe shqiptarët në Maqedoni”

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka të drejtë që të flas për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni.

“A ua merr mendja që mundet me e ndiku Maqedoninë, Serbinë a BE-në, kur jep “kërcënime” një person si Hashim Thaçi, i cili tërë karrierën e vet politike e ka të ndërtuar mbi kompromise në kurriz të vendit të tij?!”, ka thënë Molliqaj.

Reagimi i Molliqajt vjen pasi presidenti Thaci deklaroi se homologu i tij maqedonas, Ivanov, “ka varrosur demokracinë” me vendimin për të mos mandatar Zoran Zaevin për të formuar qeverinë.

Por, sipas Molliqajt, Thaçi nuk ka të drejtë të flas as për arrestimin e Ramush Haradinajt.

“Hashim Thaçi që po na e sjellë Zajednicën e Demarkacionin, nuk ka të drejtë të flasë për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni e as për arrestimin e padrejtë të Ramush Haradinajt. Ky njeri që e ka braktisur idealin kombëtar, për të përfituar personalisht, është një prej shkaktarëve kryesorë të gjendjes së rëndë të shqiptarëve. Ky i “mbron” shqiptarët dhe e “kërcënon” BE-në vetëm kur ndihet i rrezikuar për vete”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Dhe në fund, ky e shet prapë interesin kombëtar, vetëm për të shpëtuar veten. Duhet të bjerë Hashim Thaçi, që shqiptarët të fillojnë zgjimin e tyre”./Insajderi.com