Thaçi shpërfillë kundërshtitë – “Vendimet i marrim vet”

Thaçi shpërfillë kundërshtitë – “Vendimet i marrim vet”

Përkundër kundërshtive nga NATO dhe Ambasada amerikane në Kosovë lidhur me projektligjin e ri për FSK-në, Presidenti Hashim Thaçi insiston se misioni i Forcës duhet të ndryshohet.

Në një konferencë për media, Thaçi ka thënë se bërja e ushtrisë është në duar të institucioneve të Kosovës, dhe se një gjë e tillë nuk përbën ndonjë thyerje të ligjit.

“Ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë FSK-ja në përputhje me ligjin e ri, e bëjnë FSK-në një ushtri modern, multientike, profesionale, dhe të gatshme për të mbrojtur qytetarët e Kosovës e do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe botë, sa herë që Kosovës I kërkohet të japë kontributin e saj në këtë drejtim”, ka thënë ai.

“Këtë iniciative ligjore e cila është ndërmarrë në koordinim të plotë me institucionet shtetërore të Kosovës e konsideroj sit ë domosdoshme për avancimin dhe fuqizimin e rolit e detyrave të FSK-së”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se pret që edhe Qeveria e Kosovës të japë një vlerësim pozitiv për projektligjin në mënyë që të procedohet për votim sa më shpejt në Kuvend.

Ai ka thënë se nisma për formimin e ushtrisë ka bashkuar spektrin politik në vend.

“Në këtë periudhë i gjithë spektri politik Kosovë dhe shoqëria civile e qytetarët, duhet të jemi të bashkuar për të përmbyllur me sukses këtë mision, këtë proces, i cili tërësisht varet nga vullneti i institucioneve tona shtetërore. Ashtu siç kam pritur, projektligji e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës, e ka forcuar besimin e qytetarëve të vendit”, ka thënë Thaçi.

Duke komentuar kundërshtitë rreth nismës për të ndryshuar misionin e FSK-së, Thaçi ka thënë se Kosova nuk është duke bërë ndonjë hap të papritur ose veprim të njëanshëm.

“Përkundër shqetësimeve të bëra publike, ShBA-të në asnjë rrethanë nuk e vënë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime për themelimin e ushtrisë ShBA-të e kanë bërë të qartë se plotësisht e mbështesin këtë proces, por duan që ky ndryshim të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, tha ai.

“Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, nuk po bën asnjë befasi, asnjë veprim të njëanshëm apo të pa-koordinuar, asnjë veprim antiligjor apo anti-kushtetues. Nuk po bën asgjë që mund të konsiderohet si rrezik për paqen e sigurinë në Kosovë e rajon,” ka thënë ai.

Ai ka thënë se i vetmi shtet që po kundërshton bërjen e ushtrisë është Serbia./Insajderi.com