Thaçi: Serbia nuk do të ndalet së provokuari derisa ta njohë Kosovën

Thaçi: Serbia nuk do të ndalet së provokuari derisa ta njohë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar provokimet e Serbisë që po bëhen ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se provokime të tilla do të ketë edhe në të ardhmen pasi që sipas tij janë pjesë e skenarit të vjetër të Serbisë për të ndarë një pjesë të territorit të Kosovës.

“Provokimet nga shteti i Serbisë do të vazhdojnë deri atëherë kur Serbia ta njoh Kosovën dhe të heqë dorë nga politika e vet hegjemoniste dhe nacionalist”, ka thënë Thaçi në një intervistë për gazetën Zëri.

Ndërkaq sa i përket deklaratës së presidentit të Serbisë, i cili tha se është i gatshëm për luftë nëse kërcënohen serbet e Kosovës, Thaçi tha se serbët në Kosovë janë të privilegjuar.

“Nuk ka asnjë kërcënim drejtuar komuniteti serb nga kushdo në Kosovë. Kërcënimi I vetëm për serbë e Kosovës është përdorimi dhe manipulimi I tyre nga ana e Serbisë për realizimin e skenarëve të veta nacionaliste për destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

I pyetur,  nëse ndihet përgjegjës për punësimet dhe dhënien e tenderëve të shumtë për partiakët e tij, Thaçi ka thënë se çdokush duhet të japë përgjegjësi individuale.

“Çdokush që ka bërë shkelje të ligjit duhet të japë llogari për sjelljen e vet pa marr parasysh prejardhjen dhe afërsinë politike. Këtu nuk ka çfarë të diskutohet”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka përmendur edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë për këtë.