Thaçi: Raporti i Progresit kritikon Kosovën për ta fshehur dështimin e BE-së

Thaçi: Raporti i Progresit kritikon Kosovën për ta fshehur dështimin e BE-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Raporti i Komisionit Evropian për këtë vit përmban vlerësime pozitive për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se Raporti i Progresit me të drejtë thekson rëndësinë e avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Por, siç ishte pritur, fokusi i raportit edhe këtë radhë është tek ngecjet dhe kritikat e ndryshme. Gjersa në njërën anë këto ngecje mund të jenë reflektim i gjendjes në vendin tonë, në anën tjetër ato qëllimshëm theksohen tejmase për të justifikuar paaftësinë dhe jounitetin e BE-së për t’ia ofruar Kosovës perspektivën e sigurt të anëtarësimit”, ka shkruan presidenti Thaçi në llogarinë e tij në facebook.

Thaçi ka thënë se Kosova përballet me shumë sfida që kërkojnë punë serioze për tejkalimin e tyre.

“Por, ne nuk do të pranojmë që qytetarët tanë të trajtohen në mënyrë të pabarabartë. Fatkeqësisht, BE-ja në mungesë të unitetit përbrenda ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë në trajtimin e Kosovës në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera që aspirojnë anëtarësimin në BE”, ka shtuar Thaçi.

Si pasojë e kësaj qasjeje, Thaçi thotë se Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet tepër e paqartë.

Presidenti thotë se “qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë dilemë sa i përket jetësimit të vizionit tonë për anëtarësim në BE”.

“Ne jemi të qartë dhe nuk heqim dorë. Por, tani është koha që edhe BE-ja të jetë e qartë me Kosovën”, ka përfunduar presidenti./Insajderi.com