Thaçi: Qëllimi kryesor i takimit është arritur, ulja e tensioneve mes dy vendeve

Thaçi: Qëllimi kryesor i takimit është arritur, ulja e tensioneve mes dy vendeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për media pas takimit në Bruksel me palën serbe dhe ndërmjetësim të BE-së, ku ka treguar për takimin e mbrëmshëm por pa dhënë detaje rreth këtij takimi.

Thaçi ka thënë se situatat e krijuara në vend pas veprimeve të fundit nga Serbia ishin tema kryesore e diskutimeve me presidentin dhe kryeministrin e Serbisë.

“Jam i kënaqur që qëllimi kryesor i takimit për uljen e tensioneve është arritur. Por na mbetet shumë të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore. Është e rëndësishme që të kërkojmë ndalimin e veprimeve nga Serbia që qëllim kishin destabilizimin e situatës në Kosovë. Këtu përfshihen të gjitha veprimet e ndodhur në periudhën e fundit. Të dy palët jemi dakorduar se dialogu nuk ka alternativë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka deklaruar po ashtu se shpreson që në fazën e fundit të këtij dialogu të arrihet marrëveshje për pajtim të plotë mes shteteve.

“Në këtë fazë përfundimtare të dialogut shpresoj se me ndihmën e ndërmjetësueses në fund të negociojmë marrëveshjen politike përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve të plota dhe pajtim të plotë të Kosovës dhe Serbisë dhe popujve tanë. Vetëm një marrëveshje e tillë është paqe për rajonin. Kjo është garancë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka shtuar ai.

Presidenti, Thaçi është shprehur i bindur se Kosova do të respektoj zotimet e mbrëmshme, duke shpresuar për një gjë të tillë edhe nga ana e Serbisë.

“Kosova do të respektoj zotimet të mbrëmshme dhe shpresoj se një gjë e tillë do ta bëjë edhe Beogradi. Largimi nga debatet nxitëse dhe urrejtëse është në interes për paqen e Ballkanit dhe Evropës./Insajderi.com