Thaçi i përgjigjet Delawies: Ndërkombëtarët janë në dijeni për ushtrinë që tri vite

Thaçi i përgjigjet Delawies: Ndërkombëtarët janë në dijeni për ushtrinë që tri vite

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të mërkurën se transformimi i FSK-së nuk mund të konsiderohet vendim i njëanshëm, sepse siç thotë ai, “opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar është në dijeni që për tre vjet me radhë jemi duke punuar në këtë drejtim”.

“Ky veprim do të mund të konsiderohej i njëanshëm vetëm në rast se dikush nga bashkësia ndërkombëtare aludon që Kosova duhet të marrë leje nga Serbia për vendimet e saj sovrane”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

“Më lejoni të jem i qartë: kjo nuk do të ndodhë”, ka shtuar ai.

Komentet e Presidentit Thaçi vijnë vetëm pak kohë pasi që Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të ndalojnë procesin e transformimit të FSK-së në këtë fazë.

Në një intervistë për Insajderin, diplomati amerikan e ka cilësuar të papranueshme mënyrën se si po punohet për këtë çështje. Po ashtu, ai e ka demantuar presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli, se janë koordinuar me SHBA-të.

Ai ka bërë publike dhe letrën që ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg./Insajderi.com