“Thaçi nuk preokupohet kush del nga salla” – kundërpërgjigja e Zyrës së Presidentit për O’Connell

“Thaçi nuk preokupohet kush del nga salla” – kundërpërgjigja e Zyrës së Presidentit për O’Connell

Bekim Çollaku, Shefi i stafit të Presidentit Hashim Thaçi ka reaguar ndaj largimit të ambasadorit të Britanisë së Madhe nga konferenca e sotme ku është diskutuar për Gjykatën Speciale.

Amabasada britanike në një përgjigje ka thënë se O’Connell është larguar urgjentisht nga konferenca, pa e thënë se kjo ka pasur të bëjë me qëndrimin e Thaçit, por i ka kundërshtuar deklaratat e Thaçit që i ka bërë sot.

“Kosovës nuk i janë bërë premtime lidhur me Gjykatën Speciale dhe nuk është e drejtë të pretendohet e kundërta. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare bazohet në kriteret specifike të anëtarësimit të organizatave individuale” thekson Ambasada britanike

“Gjykata Speciale ishte përgjigja e Kosovës ndaj supozimeve të Raportit të Martyt. Ishte një hap i rëndësishëm për të treguar gatishmërinë e Kosovës për të zbuluar të vërtetën për atë që ndodhi gjatë konfliktit.” Thuhet më tej.

Por, në reagimin e Këshilltarit të Presidentit, thuhet se shefi i shtetit nuk preokupohet kush largohet e kush jo.

“Gjëja e fundit për të cilën preokupohet Presidenti është se kush rri dhe kush largohet në konferenca të kësaj natyre. Ajo çfarë i intereson Presidentit është që qytetarët e RKS të jenë të informuar dhe ta dinë të vërtetën për të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe të vërteten e hidhur për Gjykatën Speciale. Pavarësisht këtij veprimi RKS do të vazhdojë t’i afirmoje marrëdhëniet e shkëlqyera  me Britaninë e Madhe” ka thënë Çollaku në një prononcim për Express.