Thaçi në Shkup: Marrëveshja me Serbinë do të ketë kosto të madhe

Thaçi në Shkup: Marrëveshja me Serbinë do të ketë kosto të madhe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po qëndron në një vizitë zyrtare në Shkup. Ai është takuar me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

Në një konferencë për media, presidenti i vendit ka thënë se marrëvshja finale Kosovë-Serbi do të ketë një kosto të madhe.

“Ne veç kemi filluar të diskutojmë, negociatat do të intensifikohen në të ardhmen, një marrëveshje mund të shtyhet por do të jetë me një kosto të madhe. Marrëveshja do të jetë e një kompromis të debatueshëm në Kosovë e Serbi”, ka thënë Thaçi.

Ai është zotuar se për marrëveshjen finale do të vendosin qytetarët me referendum, kurse sipas tij vendimi nuk do të mund pengohet nga ndonjë individ apo grup i caktuar.

“Në rast të një arritje të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, procesi do të kalojë përmes një referendumi e pastaj në parlament. Pra do të vendosin qytetarët e Kosovës dhe nuk do të mund të pengohet nga asnjë grup apo individ”, theksoi Thaçi.

Presidenti i vendit sot po qëndron në Shkup, një ditë pas vizitës që e realizoi në Podgoricë. /Insajderi.com