Thaçi në Jarinjë: Normaliteti në veri, rezultat i dialogut me Serbinë

Thaçi në Jarinjë: Normaliteti në veri, rezultat i dialogut me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot pikën kufitare në Jarinjë të pjesës veriore të Kosovës.

Ai ka uruar policët e dhe doganierët e Kosovës të cilët punojnë në këtë pikë kufitare “sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane.”

Përmes një kumtese për media, presidenti Thaci ka thënë se normaliteti në veri të vendit është bërë i mundshëm si rezultat i dialogut me Serbinë në Bruksel.

“Unë uroj dhe përgëzoj të gjithë policët e Kosovës, të gjithë doganierët, që janë duke punuar bashkërisht, shqiptarë, serbë dhe të tjerë, sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane. Më vjen tepër mirë që shoh një situatë krejt normale, një situatë të komunikimit, por edhe qarkullimit të njerëzve” thuhet në komunikatë.

“Këtu është jashtëzakonisht inkurajues edhe bashkëpunimi mes autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Dua të besoj se ky do jetë një shembull i mirë edhe për të ardhmen”, u shpreh presidenti Thaçi.

Gjatë vizitës në pikën kufitare në Jarinjë, presidenti Thaçi ishte i shoqëruar nga Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, si dhe Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulëzim Rafuna, të cilët i përgëzoi përangazhimin e gjithë stafit të tyre në këtë pikë doganore të Kosovës me Serbinë, si dhe në pikat e tjera anekënd territorit të Kosovës./Insajderi.com