Thaçi ndërron fjalët për “bashkimin e shqiptarëve në një hapësirë”

Thaçi, i frustruar me mosliberalizimin e vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian, deklaroi pesë ditë më parë se në rast se BE-ja vazhdon të injorojë Kosovën, atëherë nuk përjashtohet mundësia që shqiptarët të bashkohen në një hapësirë të njëjtë.

Thaçi ndërron fjalët për “bashkimin e shqiptarëve në një hapësirë”

Kur Hashim Thaçi deklaroi se “shqiptarët mund të jetojnë në një hapësirë të vetme në rajon”, ngjalli reagime të shumta nga ambasadorët ndërkombëtar në Kosovë dhe zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian.

E ndër reagimet më të fuqishme ndaj kësaj deklarate, erdhi nga Brukseli. Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në BE, Johannes Hahn ka thënë sot se janë të papranueshme deklaratat si të Thaçit.

“Shpreh zhgënjim dhe nëse mund të them edhe zemërim për shkak të deklaratave nxitëse të disa liderëve në rajon. Deklaratat e tilla, që mund të cilësohen edhe si përzierje në shtetet e tjera dhe implikojnë ndryshime të kufijve, janë të papranueshme dhe për më shumë janë të panevojshme”, tha Hahn pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq në Bruksel.

Pas kësaj deklarate të Hahn erdhi reagimi i presidentit Thaçi, i cili e quajti lider të dobët e pa vizion komisionerin e BE-së. Presidenti i Kosovës, ndryshe nga deklarimi i pesë ditëve më parë, kësaj radhe tha se nuk ka bashkim kombëtar.

“Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së”, ka thënë Thaçi.

Thaçi, i frustruar me mosliberalizimin e vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian, deklaroi pesë ditë më parë se në rast se BE-ja vazhdon të injorojë Kosovën, atëherë nuk përjashtohet mundësia që shqiptarët të bashkohen.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, u shpreh Thaçi, pesë ditë pas deklaratës rreth bashkimit kombëtar që bëri bujë.

Deklaratë të ngjashme me presidentin e Kosovës, javën e kaluar ka dhënë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ai deklaroi se nëse Shqipëria nuk ka perspektivë drejt Bashkimit Evropian, nuk përjashton bashkimin e shqiptarëve. /Insajderi.com